E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët, 1.8 milionë euro për arsimin profesional

Qeveria gjermane do të financojë 1.800.000 euro për zhvillimin e arsimit profesional në Shqipëri. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar dje, në Ministrinë e Arsimit, kontributi i shtetit gjerman do të jetë për një periudhë dy vjet e gjysmë. Projekti konsiston në ngritjen e Akademisë Profesionale pranë Universitetit të Durrësit, si dhe mbështetjen e shkollave të mesme profesionale në Dibër dhe Kukës. Në sezonin e ri mësimor të vitit 2008 do të nisin shkollën studentët e parë në Akademinë Profesionale në Durrës. Të diplomuarit në këtë akademi do të marrin diplomë me 180 kredite, të akorduara nga Sistemi Evropian i transfertës së krediteve. Kjo akademi do të akreditohet nga qeveria shqiptare, si dhe nga një prej Agjencive Gjermane të Akreditimit. Është parashikuar që këtë vit akademik të ngrihen tri degë, si hoteleri, sistem bankar dhe ndërtim. Sipas marrëveshjes, qeveria gjermane financon 1.000.000 për këtë akademi. Pjesa tjetër e projektit konsiston në mbështetjen për zhvillimin ekonomik në rajonet e varfra. Kjo mbështetje kryhet përmes investimit në shkollat profesionale në Rrethin e Dibrës dhe Kukësit. Kështu, të paktën dy shkolla do të kenë krijuar dy profile dy-tre vjeçare shkollimi profesional dhe të paktën 4 shkolla do të përmirësojnë ofertat për profilet ekzistuese. Është parashikuar që dy shkolla të shërbejnë si qendra të trajtimit profesional. Fondi për arsimin profesional në Veri është 800 mijë euro. Marrëveshja mes MASH-it dhe shoqërisë gjermane për bashkëpunimin teknik GTZ u nënshkrua nga Antonieta Luli, sekretare e përgjithshme e Ministrisë dhe Ulrike Gantzer Sommer, shefe rajonale e GTZ-së. Kontributi i shtetit gjerman do të jetë në ekspertizë teknike dhe menaxhim të kualifikuar. Po kështu një sërë profesorësh për afate të shkurtra do të kontribuojnë për trajnimin e stafit universitar shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›