E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët kanë të drejtë

Nga Stavros Lygeros, “Kathimerini”

Samiti i fundit i Bashkimit Evropian tregoi se kriza financiare e ka vënë bllokun në vështirësi.

Projekti i integrimit të BE nisi dhe u rrit gjatë një periudhe relativisht të qëndrueshme. Sigurisht, pati me raste goditje nga kontradiktat e brendshme dhe problemet ekonomike, por asnjëra prej tyre nuk ka qenë e pakalueshme. Këtë radhë agonia nuk vjen nga egot kombëtare. Tek e fundit, këto kanë ekzistuar gjithmonë dhe janë pjesë e integrimit evropian.

BE është bashkim shtetesh kombe. Ajo nuk do të evoluojë në një lloj Shtetet e Bashkuara të Evropës, të paktën jo në një të ardhme të parashikueshme. Interesat kombëtare nuk do të zhduken kurrë. BE ka nevojë për një kompromis konstruktiv me bazë këto interesa. Kontradiktat duhet të zgjidhen, në mënyrë që të përparojë projekti ose të paktën të mbahet në udhë të mbarë.

Të përballur me një radhë falimentimesh, anëtarët më të dobët kërkojnë që BE të tregojë solidaritet. Megjithatë, vendet më të forta kanë frikën të japin tepër. Disa shenja të para të protektonizmit duken tashmë në horizont.

Solidariteti i BE është kyç për mbijetesën e ekonomive më të brishta dhe rruga më e mira për të formësuar një ndërgjegje të BE, sidomos mes anëtarëve të rinj. Megjithatë, duhet theksuar se shumë vende të Evropës Lindore i kanë acaruar anëtarët më të vjetër me ashpërsinë e tyre apo kërkesat e tepruara në negociata, ndërsa sillen si shtete satelite të SHBA. Me fjalë të tjera, ato vende janë fajtore pikërisht për atë që akuzojnë Gjermaninë dhe Francën.

Solidaritet nuk do të thotë të futësh në eurozonë vendet që nuk përmbushin kriteret. Atyre duhet t’u jepet ndihmë, por çdo ndihmë duhet të ketë kushte. Vendet më të brishta të eurozonës duhet të mbrohen, por sipas disa kushteve të caktuara. Ndihma pa kushte nuk ekziston. Nëse nuk doni kushte, mos kërkoni ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›