Pango nuk është i vetmi
Rasti Pango nuk është një rast i izoluar në shoqërinë shqiptare. Gjithmonë janë komentuar në opinionin publik, por emisioni “Fiks Fare” ishte i pari që ndërmori një hap për të denoncuar këtë dukuri kaq të përhapur që nga nivelet më të larta dhe deri te një drejtor i rëndomtë. Pango ka dhe shumë shokë të tjerë, kolegë të tij, qoftë në Kuvend, qoftë në qeveri apo kudo në administratën shtetërore.
Koleget e mija gazetare e dinë fort mirë ç’do të thotë të përballesh me vështrimet e deputetëve, sa herë u duhet që nën presionin e punës të kontaktojnë për ndonjë intervistë. Sapo regjistrojnë numrin në celularin e tyre, ata fillojnë ngacmojnë nëpër celularë, çojnë mesazhe me nënkuptime, kërkojnë të krijojnë afrimitet me vajza që sapo kanë mbaruar shkollën. Parlamenti shqiptar është plot me të tillë burra që, pasi e panë veten një ditë në hierarkinë më të lartë të politikës, veshën një kostum, vunë një kollare, panë veten në pasqyrë, dolën dhe disa herë në TV, dhe iu krijua ideja se pjesa tjetër e shoqërisë është nën këmbët e tyre. Për asnjë moment ata nuk menduan se janë në atë vend për t’i shërbyer kësaj shoqërie, por menduan se kjo shoqëri i detyrohet për shumë gjëra, derisa dhe zyrat e tyre t’i kthejnë në hareme. Janë sa e sa raste ndërhyrjesh, që bëhen për të zënë vend në administratën shtetërore, në favor të këtyre shkëmbimeve, siç propozonte Pango në videon që u shfaq në televizion. Mund ta kuptoja dje reagimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, por deri në momentin kur foli si nënë, sepse do ishte vërtet e frikshme që ajo çka ndodhte me ato vajza t’i ndodhë fëmijës së gjithkujt. Por deri këtu. Më tej, Topalli nuk harroi të përshëndeste gjestin e kryeministrit për shkarkimin e tij. Por, pavarësisht reagimit të ashpër në Kuvend, kjo nuk e përjashton Topallin nga përgjegjësia e saj si kryetare Kuvendi. Në radhë të parë duhet të shpjegohet se si reagoi, kur Berisha, vendosi të emëronte Pangon si ministër i Kulturës? E dyta, se si ndjehet, kur të tjerë kolegë të saj në Kuvend, që kanë po aq moral të dyshimtë sa Pango, pushtojnë ekranet e televizioneve duke folur për moralin, ndërhyjnë pranë ekzekutivit për një vend pune për viktimat e tyre? Kryetarja e Kuvendit e di se shkarkimi nuk e përjashton nga përgjegjësia kryeministrin Berisha, që e dinte shumë mirë se çfarë po bënte.
Rasti Pango vetëm sa nxori në sipërfaqe qelbin që mbart, ajo që ne e quajmë elitë e shoqërisë shqiptare. Si Pango ministër, ka dhe Pango profesorë, Pango drejtorë që merren personalisht me fundet apo minifundet e femrave vartëse që kanë në institucion. Dhe kjo, në mënyrë të drejtpërdrejtë është kosto për kryeministrin, i cili e ka pranuar këtë standard. Kryeministri asnjëherë s’mund të thotë se s’i ka ditur këto fenomene. Kryeministri në asnjë rrethanë s’mund të justifikohet se nuk ka dëgjuar për aventurat seksuale të Ylli Pangos që kur ka qenë profesor në universitet. Në asnjë rast nuk marr përsipër të gjykoj njeri për jetën e tij private, le të bëjë ç’të dojë me biznesin dhe me familjen e tij, është puna e tij, ama në rast se merr përsipër të jesh pjesë e jetës publike të kësaj shoqërie, atëherë duhet të demonstrosh vlera. Në këtë sëmundje të përgjithshme, Ylli Pango ishte më i rënduari, por sa e sa të tjerë të kamufluar mbajnë karrige deputetësh apo drejtorësh në dikasteret e administratës. Nga ana tjetër, vetë fakti që është stisur një administratë që nuk funksionon në bazë të aftësive të gjithsecilit dhe kurrikulave, por në bazë të njohjeve, militantizmit apo nepotizmit i ka lënë dorë të lirë këtyre rrufjanëve të vjetër që të abuzojnë me besimin që u kanë dhënë njerëzit me anë të votës. E gjithë kjo panoramë ka katër vjet që shfaqet, dhe shenjat e para i dha që në vitin 2005, por atëherë Berisha nuk foli. Preferoi të shihte se si degradonte situata, dhe u desh ajo video tek tregonte një ministër, një burrë 57 vjeç, që bënte pas një çupëline si adoleshent, që më pas të shkarkonte Pangon. Zgjedhjet e vitit 2009 do ishin një shans i mirë, jo vetëm për Berishën, por për të gjithë politikën shqiptare (edhe nga e majta nuk janë të paktë ata që mendojnë dhe veprojnë si Pango), që të pastrohet, jo vetëm nga ky soj “qejflinjsh”, por edhe nga ata që po e brejnë dita-ditës këtë vend me korrupsionin e tyre. Vetëm atëherë do mund të flisnim sadopak për moralin dhe standarde qeverisjeje në këtë vend.