Bode: Analiza e FMN për krizën në Shqipëri është një copë letër
Ministri shqiptar i Financave, Ridvan Bode, rrëzoi dje të gjitha shqetësimet e ngritura për praninë e krizës ekonomike në vend duke hedhur poshtë njëherazi edhe të gjithë treguesit që e bëjnë të prekshme këtë krizë. Analizat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili e përfshiu Shqipërinë në vendet më të rrezikuara në botë nga kriza ekonomike, ministri i Financave me lehtësinë më të madhe i cilësoi dje letra të pavlera. Rënia eksporteve, rënia dramatike e importeve, rënia e dërgesave të emigrantëve, thellimi i bilancit tregtar, rënia e fuqisë blerëse, e kërkesës dhe rënia me dy herë e kredive gjatë muajit janar nuk u përmendën asfare si shenja të krizës. Ministri e cilësoi Shqipërinë si vend që po i qëndron krizës pa u prekur nga efektet e saj dhe i vetmi shqetësim real për të ishte rënia e lehtë, sipas tij, e dërgesave të emigrantëve. Këto komente ministri i Financave i bëri gjatë një konference për shtyp, ku ai megjithatë pohoi se ka ngadalësim të aktivitetit tregtar të vendit, por nuk e pengoi të konstatojë se vendi ynë është larg prekjes nga kriza globale. “Aktiviteti tregtar ka njëfarë tkurrjeje dhe kjo vjen në tregtinë ndërkombëtare, e cila impaktohet në dy aspekte, në uljen e nivelit të eksporteve të mineraleve dhe çmimeve të mallrave të importuara”, - vijoi Bode. Sipas tij, gjatë dymujorit të parë të këtij viti kemi rënie të vëllimit të eksporteve, për shkak të rënies së eksporteve të mineraleve, ndërsa është vënë re edhe një rënie e volumit në vlerë të importeve për shkak të rënie së çmimeve. Ministri i Financave shpjegoi gjatë pse të dhënat nuk tregojnë krizë ekonomike duke iu shmangur të gjitha opinioneve të FMN, BB, BERZH etj., të cilat kanë thënë se vendi do të tkurrë në rreth 3% në rritjen ekonomike dhe se shtresat e varfra mund të thellojnë nivelin e varfërisë. Bode tha se analiza e bërë nga FMN i përket një periudhe përpara muajit janar, kur ne ende klasifikoheshim në grupin e vendeve të varfra. “Por tani Shqipëria ka dalë nga ky grup dhe renditet në grupin e vendeve me të ardhura mesatare”, - tha Bode. Kreu i Financave publike, duke iu referuar vizitës së shefit të misionit të FMN në Tiranë, Gerwin Bell, një javë më parë tha se ai është njohësi më i mirë i Shqipërisë dhe e konfirmoi një gjë të tillë. Duke u ndalur në masat e marra nga qeveria, ministri Bode renditi situatën e mirë që paraqet sistemi bankar, kredinë e marrë nga qeveria, e cila i mundëson buxhetit të shtetit të jetë një faktor stabilizues.