Doktori, i gëzuar me skandalin e Pangos
Flamuri ka qenë mjaft i ngarkuar këto ditët e fundit.
Që kur doli ai skandali i seksit i ministrit të Kulturës, s’i ka pushuar as një minutë telefoni.
E merrte ai burri me kohë e pa kohë, natën e ditën, ndonjëherë edhe afër të gdhiri dhe pastaj harronte pse e kish marrë.
- Mirë kali që na ngordhi, po s’na lënë rehat as mizat. Hajde jepu përgjigje gjithë gazetave tani. Se ai burri e ka kollaj, ikën e mbyllet atje te kulla e vet e ngujimit në mal të Dajtit dhe gjithë hallet mua m’i le.
Në këtë gjendje të dëshpëruar e gjeti korrespondenti i “Antenës”, i cili shkoi të merrte ndonjë gjë vesh, se kryeministri bënte sikur s’kish ndodhur gjë prej gjeje.
- Si të kam o mixhë? - e pyeti me humor.
- M… thuaj më mirë e jo mixhë. Ky pis vend gjithçka e pret vetëm prej meje, po unë dy duar kam, ç’të bëj më parë.
- Të shoh në hall. ǒke apo mos të kanë bërë dhe ty ndonjë videoklip këtej nga zyra, se është modë kjo tani?
- Jo mo, madje jam bërë pishman, se kam futur në punë gjithë ato cuca dhe s’iu kam lënë takim për një ekspoze aty nga ora gjashtë-shtatë. Gabim i madh, më paska ikur jeta kot për shalësh e s’e kam ditur.
- Po e rëndë ishte ajo puna e kasetës…
- Lëre, lëre, ishim të dëgjuar për korrupsione, për vjedhje, por për pushtllëqe s’na kish dalë llaf deri më sot. Po ia kisha thënë atij burrit për Ylli Pangon, po qeshte e më thoshte: “Ndigjo Flamur, pushtllëku nuk i prish punë qeverisë. As mue.”
Na, le ta mbajë tani skandalin.
- Po u mërzit ai burri shumë nga kaseta mor mixhë?
- ǒthua more, ai u kënaq pa masë. Më mori në mes të natës e më tha: “Flamur tani shpëtuam. Do merret populli me Pangon e do t’i harrojë Argitën, Zenin, Lulin, Fatmirin dhe Abin. Edhe Yllin e hoqëm qafe me lezet, edhe parimorë u shfaqëm. Fituam Flamur, fituam. Me një gur vramë një tufë me zogj…”
- Ore, po këtë të riun ku e gjeti?
- Unë mo ia gjeta, ma kish lënë CV këtu në sirtar. “Gjej një për ministër, se na duhet shpejt e shpejt për tre muaj punë”, - më tha ai burri.
- Të kam gjetur një me mbiemër Turku nga Elbasani, i thashë.
- Jo Flamur, se më bëhen një tabor me turq në atë ministri, se është dhe Zana Turku zv/ministre, të bëjmë dhe këtë Turkun tjetër ministër.
- Epo ne kështu i kemi ndarë, një ministri grekët, një turqit, një serbët, për shqiptarët s’mbetet gjë, se aq ministri janë. Jemi qeveri në dietë.
- Po Jozefina m’u duk e nevrikosur vërtet apo edhe ajo bënte gjoja, luante teatër?
- Jo, ka mundësi ta ketë pasur me gjithë mend atë fjalën që “s’i shoh dot burrat lakuriq”.
- Po thua kaq qe skandali, e hodhi doktori?
- Tri ditë zgjat çudia në këtë vendin tonë, o mixhë. Shqiptarët e harrojnë shpejt, pasnesër s’mbajnë më mend gjë, vetëm po doli ndonjë kasetë tjetër, se këta janë bërë të gjithë qejflinj.
Për një gjë është i sigurt ai burri. Skandal si ky s’ka për të ndodhur më te kultura. Pastaj këta elbasanllinjtë s’para merren me femra, vetëm po u doli ndonjë e papritur tjetër.