Rama: Afroni në PS përkrahësit e LSI
Aristir Lumezi
Kryetari socialist Edi Rama u kërkoi dje të zgjedhurve vendorë që të trajtojnë me kujdes simpatizantët dhe mbështetësit e LSI-së. Paraditen e djeshme, pa praninë e mediave, duke e konsideruar si një takim organizativ partiak, selia rozë mblodhi në Teatrin e Operës të gjithë të zgjedhurit lokalë socialistë të komunave dhe bashkive, por dhe drejtuesit e saj politikë në bazë. Duke u fokusuar në përgatitjet për fushatën zgjedhore, e cila de facto ka nisur në bazë, kreu socialist Edi Rama i kërkoi vendorëve socialistë të trajtojnë me kujdes çështjen e të majtës, pa përjashtuar këtu edhe LSI-në. Sipas tij, ata simpatizantë dhe mbështetës të LSI-së që në 2005-ën kanë punuar për votën e LSI-së dhe që sot kërkojnë të afrohen me PS-në, me ta të bashkëpunohet dhe të mos shihen si pjesë të llogores tjetër. Në fakt, PS dhe LSI janë pozicionuar në dy kampe të ndryshme, duke polarizuar gjithnjë e më shumë të majtën shqiptare. Por nuk kanë munguar ditët e fundit dhe kalimet nga njëra parti tek tjetra të anëtarëve dhe simpatizantë të tyre, duke i larguar gjithnjë e më shumë ato nga një bashkim i mundshëm para zgjedhjeve. Duke sqaruar idenë e tij “përtej të majtës dhe të djathtës”, Rama i ka shprehur të zgjedhurve vendorë dhe pranimin e kontributit të çdo të djathti që nuk është dakord me qeverinë aktuale, duke krijuar në këtë mënyrë koalicionin e qytetarëve.
Infrastruktura zgjedhore
Shqetësimi i socialistëve në këto zgjedhje janë kartat e identitetit. Kryetari socialist Edi Rama u kërkoi vendorëve identifikimin e zgjedhësve që nuk kanë karta identiteti dhe pasaporta, veçanërisht atyre që janë votues të së majtës. Sipas tij, qytetarët duhen sensibilizuar dhe nxitur që të shkojnë të aplikojnë për karta identiteti, me gjithë defektet e qeverisë në këtë proces, i cili nisi me shumë vonesa dhe me mangësi. Rama ka kërkuar prej tyre që të monitorojnë nga afër procesin e pajisjes me karta identiteti të shtetasve dhe të raportojnë çdo pengesë burokratike apo teknike, dhe pse ende nuk është pranuar nga maxhoranca ngritja e një komisioni parlamentar ‘ad hoc’ për të kontrolluar këtë proces. Një tjetër shqetësim i Ramës ishin dhe listat e zgjedhësve. Kreu socialist kërkoi prej vendorëve verifikim të saktë të tyre, listave paraprake për të shmangur çdo rast fiktiviteti në emrat e zgjedhësve. Kreu socialist nuk ka lënë pa trajtuar dhe tragjedinë e Gërdecit. Rama i kërkoi vendorëve vlerësimin maksimal të mitingut të protestës që PS-ja do të zhvillojë në 15 mars në përkujtim të viktimave të tragjedisë. Kreu socialist kërkoi pjesëmarrje të gjerë në këtë miting, i cili do të jetë dhe një provë gjenerale kundër qeverisë para zgjedhjeve dhe mbështetjen e alternativës së majtë.
“Deputetët të kuptojnë se ka ndryshuar sistemi”
Kreu socialist duke folur konkretisht për zgjedhjet e qershorit dhe rolin e strukturave të partisë dhe të vullnetarëve, i ka kërkuar deputetëve që të ambientohen me sistemin e ri proporcional. “Deputetët të kuptojnë se jemi në një sistem proporcional rajonal, ku nuk lëvizet dhe punohet individualisht, por si struktura në të gjithë qarkun. Deputeti nuk ka një zonë, por kërkon vota në të gjithë qarkun”, mësohet të jetë shprehur dje Rama para të zgjedhurve vendorë dhe deputetëve të grupit parlamentar socialist. Sipas organizimit elektoral, deputetët janë të caktuar të punojnë në qarqet e tyre për zgjedhjet. Deputetët aktualë të dalë nga sistemi maxhoritar i 2005-ës vazhdojnë të mbajnë lidhje fizike me zgjedhësit e tyre për shkak të mandatit që kanë marrë, por sipas kreut socialist sistemi i ri kërkon dhe një mentalitet të ri në funksionimin e tyre në rang qarku.