E Shtunë, 31 Tetor 2026

Flamuri me Frangajn qajnë hallet për Pangon dhe Bashën

Nga Antena brenda familjes

I vetmi njeri i gëzuar dje dukej Flamuri. Ikja e Ylli Pangos e kishte lehtësuar. Pavarësisht kostos që kishte për qeverinë, Pango kishte kohë që ishte kthyer në një armik të egër për Flamurin.

Ky ishte ministri i parë i qeverisë Berisha që nuk përfillte asnjë rekomandim të Flamurit për punë. Gjithë të tjerët merrnin në punë ato që ky u çonte, Pango as që denjonte. Pas skandalit, Flamuri e kuptoi qartë arsyen përse Pango nuk e përfillte. Kriteret e tij s’kishin lidhje me rekomandimet e Flamurit.

I gëzuar siç ishte, thirri Aleksandër Frangajn ta nxirrte inatin mbi të.

- Hë mo Sandër, ku shkoi ky ministri që na solle ti? Ja ç’na bëri.

- Po faj kam unë, - tha Sandri. - Unë nuk i thashë bëj nga këto marrëzira. Unë iu luta doktorit ta vinte, se s’kisha akses në qeveri. S’ më pyeste asnjeri veç Fatmir Mediut, i thashë të paktën më jep ministrin e Kulturës dhe bë një VKM që reklamat për TV t’i japë ajo, dhe aq desha unë. Me femrat bënte si hamshor, se para meje ishte si i tredhur.

- Jo se s’është ashtu, - tha Flamuri. - Se mua më ka bërë sherr një herë. I çova unë një femër këtej nga Forumi, kështu u themi ne atyre që çojmë me rekomandime dhe ai ia kishte lypur dhe asaj. Dhe u bë sherr i madh. Unë s’e dija pse më mbante mëri, por një ditë m’u turr si i tërbuar. “Dëgjo këtu ti, - tha. - S’ke punë me punonjëset e mija, se e shikoj që vjen i takon. Atë e kam marrë unë në punë, se për ty as e rruaj fare.” Në fakt, i thashë, e ke gabim, se unë të shkarkoj që tani. I them atij burrit, mo ta shoh më aty dhe të zhduk. Po nuk e hëngri, nuk u tremb. Thoshte lart e poshtë: “Kam Sandrin”. Hë, ku e ke tani?

- Me emrin tim dhe të doktorit spekulojnë shumë vetë, po unë s’kam faj, - tha Sandri. - Unë me ty kam qenë i hapur. Më thuaj ç’të bëjmë dhe ne e bëjmë.

- Unë them që tek emisioni i Fevziut t’i bëhen pyetje të forta të ftuarve. Për shembull, të pyetet Zana Guxholli, a është e vërtetë se kjo qeveri ka prostitucion. Më duhet përgjigje e sinqertë, t’i thotë. Një pyetje tjetër mund t’i bëhet të ftuarve, a ka ministra të tjerë që mund të akuzohen për skandale të tilla. Nëse ata thonë jo, duhet t’i pyesni, a janë të sigurt.

Pastaj duhet pyetur, kush është më e rëndë, fotot nudo të Edi Ramës me të dashurën, apo skena e Pangos që nuk zbërthente dot pullat e këmishës. Duhet të marrim iniciativën dhe t’i sqarojmë vetë këto gjëra. Ndryshe do të keni taksë të rëndë, se ai quhej ministër i TV “Klanit”.

- Unë i mbajta shënim, - tha Frangaj, - po ia jap Fevziut, po mua s’ke pse më bie më qafë. Shiko mos ma rregullon me këtë Turkun nga Elbasani, se kam lënë ca projekte përgjysmë me Pangon.

- S’ta rregulloj dot me të Sandër, se më 2003, kur ka fituar ai, ti ke mbështetur kundërshtarin e tij në Elbasan.

- S’e mbaj mend kë kemi mbështet atëherë, po puna është si ta rregullojmë tani...

- Kam halle të tjera, - tha Flamuri. - Më kanë vërshuar letra me denoncime për këtë Pangon. Njëri që bën koncerte më thotë se më merrte gjysmat e lekëve që më jepte si grant. Madje njëherë i kishte marrë lekë dhe kur e kishte porositur Liri Berisha që t’ia jepte. Një nga Durrësi më thotë më ka kërkuar 50 mijë euro. Të tjerë më dërgojnë sms që ky kështu ka bërë që kur ka qenë mësues në Mullet e derisa u bë ministër. Ti Sandër na more më qafë. Unë do t’ua them demokratëve këtë, s’mbaj përgjegjësi. Se po ia fusin të gjithë atij burrit tani, po ai s’ka faj, se ju ia çuat.

- Po jo mo burrë, se s’të kërkova ndonjë nder, thjesht ma rregullo me këtë Turkun të thashë. Unë i them dhe Bashës, se ai është kryetar i Elbasanit, por thashë të ma rregulloje ti.

- Shiko Sandër, unë nuk është se kam respekt për Bashën, por mos bë ironi që ka qejf elbasanllinjtë dhe kavajasit, se s’ka lezet. Le të mbetemi parti seksomanësh, jo homoseksualësh. Se kur thua që Lul Basha është kryetari i Elbasanit, ka pak kuptim të keq. Të shkon mendja keq, se na e ka fut në mendje ajo gruaja se gjithë këta që kanë ardhur nga Holanda, kanë vese të tilla.

- Po jo mor burrë, s’ta thashë për atë punë, se unë e kam mik Bashën. Ne si t’ia bëjmë, mos na del dhe kaseta e tij, se për këtë të Pangos, vari leshtë, iku. Po ç’t’i bëjmë kasetës së atij, se po bëjnë presion, duan 2 milionë euro. Se për Pangon s’paguante njeri. Gjetëm vetëm një ndërtues që paguante 50 mijë euro, po s’pranuan as të flisnin ata. Kurse për Lulin duan 2 milionë, ndryshe e publikojnë një javë para shpalljes së listave.

- Ore, po të jetë për 2 milionë euro, ne blejmë dhjetë Lula, pse do paguajmë për një? - tha Flamuri. - Po mos e përdor shumë këtë fjalën për elbasanllinjtë, se na more më qafë. Pa u harruar akoma Pango, na plas sherri tjetër. Ky Pango e paska pas sloganin “O lekët, o brekët”, kurse për Lulin ka dalë slogani, “Nga Duart e Pastra, te brekët e pastra”.

- Atë mos e thuaj, - tha Frangaj, - se akoma s’ka filluar gjyqi, pastaj ia shohim, i ka apo s’i ka të pastra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›