Gjermanët pas Nafiut e Hasanit
Bundesligës gjermane shumë shpejt pritet t’i shtohen edhe dy futbollistë shqiptarë. Skuadrat gjermane ia kanë mësyrë dyshes shqiptare, Ferhan Hasani e Valmir Nafiu. Dy sulmuesit e rinj janë pjesë të Shkëndisë së Tetovës, por mund ta ndërrojnë mjedisin gjatë janarit.
Sipas zëvendëspresidentit të Shkëndisë, Idriz Ebishi, për shërbimet e këtyre dy talenteve, interesim kanë shfaqur skuadrat e njohura gjermane, Hamburg, Mainz, Nurnberg dhe St Pauli.
Sipas mediave gjermane, 20-vjeçari Hasani, përfaqësues i ekipit U21 të Maqedonisë dhe 16-vjeçari Nafiu pritet të provohen në njërën nga skuadrat e lartpërmendura gjatë janarit, edhe pse kanë kontrata me klubin nga Maqedonia.
Ndërsa mediat shqiptare në Maqedoni kanë shkruar se përveç gjermanëve, të interesuar për golashënuesin e klubit tetovar, Ferhan Hasani interesim kanë shprehur edhe klubet nga Turqia dhe Rusia.
Ndërsa, për Nafiun kjo nuk do të jetë hera e parë që provohet në një ekip evropian. Para disa javëve, ai ishte provuar te gjiganti holandez. Ndërsa gjatë qershorit të kijë viti, talenti i klubit tetovar ka qenë në prova edhe në Barcelona.
17-vjeçari, për të thonë se është sulmues mjaft i shkathtë dhe ka kualitet të bëhet futbollist i madh, është provuar në skuadrën e të rinjve të gjigantit spanjoll (të lindur në vitin 93-94) të klubit katalunas, ku ka lënë përshtypje të mira.
Nafiu e ka dëshmuar veten në elitën e futbollit maqedonas, duke treguar lojëra të shkëlqyeshme në fanellën e Shkëndisë nga Tetova. Ai po ashtu është pjesë e pandashme e përfaqësueses U-17 të Maqedonisë.