Pa konkurrencë
Sigal Prishtina edhe në pjesën e parë të këtij kampionati u tregua skuadër jashtëzakonisht e fortë në dallim prej ekipeve të tjera të BKT-Superligës së Kosovës në basketboll.
Bardhekaltrit me plot meritë do të dimërojnë si kampionë, pasi stinorin vjeshtor e përmbyllën duke u pozicionuar në vendin e parë të tabelës së klasifikimit me 27 pikë të tubuara dhe me një kosh-dallim mjaft të favorshëm për ta.
Në pjesën e parë të kampionatit, prishtinasit u mposhtën vetëm në xhiron e parë si mysafirë të Bambit, derisa në trembëdhjetë ndeshjet e tjera shënuan po aq fitore - madje pa kurrfarë vështirësie.
Duket se edhe vetë skuadra bardhekaltër është e befasuar me këtë efikasitet fantastik të saj. Kapiteni i këtij ekipi, Edmond Azemi, para se të niste kampionati, as që kishte menduar se ekipi i tij do të shpëtojë me vetëm një humbje.
“Realisht, nuk kam besuar se do ta pësojmë vetëm një humbje në pjesën e parë të kampionatit. Kam besuar se do ta zëmë vendin e parë në tabelë, por kam menduar se do të humbim më shumë ndeshje, e jo vetëm një”, deklaroi Edo për Express.
Por, cila ishte arma kryesore e kryeqytetasve në këtë stinor? “Ne jemi treguar një ekip shumë i organizuar, duke aplikuar lojë kolektive dhe agresive. Kjo lojë e jona ka qenë e papërballueshme për ekipet e tjera dhe jemi shumë të kënaqur me atë që kemi bërë deri më tani”, u shpreh Azemi, i cili të dielën u shpall sportisti më i mirë i vitit në kryeqytet, nga ana e Komunës së Prishtinës.
Sipas Edos, në përjashtim të Sigal Prishtinës, te të gjitha skuadrat e tjera kosovare sivjet vërehet një rënie më e madhe e kualitetit, derisa thekson se vetëm Bambi është ekipi që ka përparuar.
“Pa dyshim, Bambi ka qenë befasia më e madhe. Bambi na mposhti në ndeshjen e parë, por në ndeshjen e kthimet ne u hakmorëm. Bambi u tregua skuadër e fortë. Ndërsa, Bashkimi sivjet, fatkeqësisht ka zhgënjyer. Ndërsa, më duket se edhe te Peja dhe Trepça ka rënë kualiteti. Nuk kanë ekip me mentalitet fitues. Thjesht, nuk janë ato ekipe që jemi mësuar t’i shohim”, u shpreh ai.
Azemi tha se skuadra e tij tani duhet të mendojë për pjesën e dytë të kampionatit, derisa shprehu bindjen e tij se Sigal Prishtina edhe në këtë kampionat do ta fitojë titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ai nuk e përjashtoi mundësinë që skuadra e tij të përforcohet edhe me lojtarë të huaj në pjesën e dytë të kampionatit.
“Është herët të flitet për përforcime. Por, nëse ekipet e tjera përforcohen, sigurisht se edhe ne do të përforcohemi. Ndeshjen e parë të pjesës së dytë të kampionatit e kemi me Bambin. Nëse Bambi përforcohet, atëherë me gjasë edhe ne do të përforcohemi. Por, nëse Bambi, por edhe ekipet e tjera nuk përforcohen, atëherë edhe ne do të vazhdojmë me këtë fuqi aktuale që e kemi”, përfundoi Azemi, i cili pa dyshim që është njëri prej basketbollistëve më të rëndësishëm te kampioni në fuqi.