I rëndësishëm për Nurnbergun

Albert Bunjaku konsiderohet lojtar i rëndësishëm i Nurnbergut. Sulmuesi kosovar ka kontratë deri në vitin 2012 me klubin nga Bundesliga, por ai mund ta vazhdojë eksperiencën e tij në këtë klub.
Edhe pse pësoi një lëndim të rëndë në gju, i cili do ta lërë jashtë fushës për rreth gjashtë muaj, udhëheqësit e klubit gjerman llogarisin në gjilanasin, i cili sezonin e kaluar, në debutimin e tij në elitën e futbollit gjerman, shënonte plot 12 gola, duke i lënë të gjithë pa frymë.
“Mendoj se kohëzgjatja e kontratës sime aktuale është e mjaftueshme. Unë kisha nevojë për komplimentet e drejtorit sportiv, Martin Bader dhe të trajnerëve të mi, të cilat më bënë mirë. Ata besojnë në mua dhe ma kanë dhënë gjithë ata që kisha nevojë. Trajneri gjithmonë më thotë se jam mjaft i rëndësishëm për ekipin. Kjo me të vërtetë është një fjali që peshon”, tha Bunjaku, në një intervistë për uebfaqen sport.ch.
Mirëpo, 27-vjeçari është i vetëdijshëm se në futboll nuk i dihet asnjëherë dhe se mund të ndodhin shumë gjëra. Ai fillimisht dëshiron të jetë i gatshëm sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kontribuuar për ekipin e tij. Bunjaku ndihet mirë edhe për faktin se atë nuk e harron as selektori i Zvicrës, Ottmar Hitzfeld.
“Absolutisht, ai më kontakton shpesh dhe interesohet për gjendjen time. Kjo është një gjë e madhe. Për mua është nder të jem pjesë e kësaj përfaqësueseje. Më jep ndjenjë të mirë”, vazhdoi ai.
Përfaqësuesi zviceran ndihet mirë që Nurnbergut po i shkojnë punët mirë këtë sezon, më mirë se vitin e kaluar. Ai është në kontakt të vazhdueshëm me bashkëlojtarët, të cilët i përgëzon për lojën që po e shfaqin në Bundesliga. Ai ndihet keq që nuk mund të stërvitë dhe që nuk mund ta ndihmojë skuadrën, por premton se do të punojë që të rikthehet këtë sezon në fushën e blertë.
“Është e vështirë të thuhet, por shpresoj që ndoshta të kapë një ose dy ndeshje para përfundimit të sezonit. Nëse gjithçka shkon mirë, shpresoj që të rikthehem në mars, por njëherë duhet të koncentrohem te rehabilitimi”, shtoi Bunjaku, i cili e ka pranuar se kjo ishte periudha më e vështirë e karrierës së tij, pasi që një lëndim të tillë nuk e kishte provuar kurrë më parë.
Ish-sulmuesi i Erfurtit po ndihet shumë më mirë, pasi që tashmë i ka hequr patericat. Ai thotë se është i qetë dhe se do të rikthehet vetëm kur të jetë i gatshëm, në mënyrë që mos t’i përsëritet lëndimi i gjurit.