E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermanët vizituan Mustafën pak para seancës

Komuniteti ndërkombëtar duket se nuk ka qenë shumë i sigurt në qëndrimin e Lidhjes Demokratikë të Kosovës nëse do të jep pëlqimin mbrëmë në Kuvend për Marrëveshjen pesëmbëdhjetë pikëshe të arritur në Bruksel, më 19 prill, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.

Dje rreth orës 19: 00, një orë pa nis seanca në Kuvendin e Kosovës, një delegacion i ambasadës gjermane ka vizituar kryetarin e Lidhjes Demokratikë të Kosovës, Isa Mustafa në zyrën e tij, në objektin e Komunës së Prishtinës.

Sipas burimeve të Indeksonline Gjermania ka dashur të sigurohet, nëse LDK-ja do ti japë mbështetje marrëveshjes të cilën kryeministri Thaçi, do ta paraqiste në Kuvend mbrëmjen e djeshme.

Fillimisht dyshohej se vet ambasadori gjerman në Kosovë, Peter Blomeyer ishte në takim, por këtë e kanë hedhur poshtë zyrtarë të LDK-së. “Jo, kryetari Mustafa nuk është takuar mbrëmë me ambasadorin gjerman”, tha shkurt zyrtari për informim i LDK-së, Fidan Jupolli, pa pohuar as mohuar, nëse Mustafa është takuar më dikë tjetër nga ambasada gjermane.

Edhe, zyrtarë të Komunës së Prishtinës thonë se nuk kanë informacione për një takim të tillë, ani pse takimi ka ndodhur në objektin e Komunës së Prishtinës.
“Nuk kam informacion qe ka pas një takim të tillë mbrëmë”, tha për Indeksonline zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj.

Mbrëmë në orët e vona, Kuvendi i Kosovës me shumicë votash të pozitës e të opozitës, pa ato të Vetëvendosjes e të Lëvizjes për Bashkim, miratoi Rezolutën e propozuar nga kryeministri Hashim Thaçi, me të cilën u dha pëlqimi për Marrëveshjen pesëmbëdhjetë pikëshe të arritur në Bruksel, më 19 prill, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›