E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kacin: Qytetarët e Kosovës të gëzojnë lirinë e plotë të lëvizjes

Nënkryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore dhe raportues për Serbinë Jelko Kacin ka përshëndetur “reagimin e shpejtë të Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Kosovës dhe posaçërisht ratifikimin e marrëveshjes së Brukselit në Parlamentin e Kosovës”.

Me anë të një deklarate, Kacin thekson se “marrëveshja për kompetencat e bashkësisë së komunave serbe është një hap kyç përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit dhe Prishtinës, në bazë të të cilave Parlamenti Edvropian në raportet e tij i ka bërë thirrje Këshillit të BE-së që të hapë fazën e re të integrimeve të Serbisë dhe Kosovës”.
“Vendimi i sotëm e Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së që të rekomandojë hapjen negociatave të anëtarësimit me Serbinë dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Kosovën është vendim i pritshëm dhe i mirëseardhur”.

Por Kacin thekson se zbatimi i konsekuent i marrëveshjeve të arritura deri më tash dhe vazhdimi i dialogut për energjetikë dhe telekomunikacion është i domosdoshëm që ky zhvillim pozitiv i ngjarjeve të ruhet dhe të vazhdojë.

Gjithashtu Kacin konsideron se ka rëndësi të madhe që institucinet e Kosovës dhe ato evropiane me përpjekje të përbashkta sa më parë të nisin implementimin e reformave nga harta e rrugës për liberalizimin e vizave.

“Regjimi i vizave sjell kryekëput pasoja negative ekonomike dhe thellon ndjenjën e izolimit. Të gjithë qytetarët e Kosovës meritojnë të gëzojnë lirinë e plotë të lëvizjes, prandaj PE i bën thirrje Komisionit për qasje proaktive të kësaj çështjeje”, theksohet në fund të deklaratë së eurodeputetit Jelko Kacin./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›