E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermani, 4 persona dënohen për komplot terrorist

Një gjykatë në Dyseldorf të Gjermanisë i ka dënuar me burg deri në 12 vjet, katër vetë lidhur me komplotin e zbuluar për sulm ndaj caqeve të Shteteve të Bashkuara në Gjermani në vitin 2007.
Tre prej tyre Fric Geloviç dhe Daniel Shnajder, të dy gjermanë të konvertuar në Islamizëm dhe shtetasi turk, Adem Jilmaz, janë dënuar si anëtarë të organizatës terroriste dhe për vepra të tjera.
Personi i katërt, Atila Selek, shtetas turk, është dënuar për mbështetje të organizatës terroriste. Geloviç dhe Shnajder janë dënuar me nga 12 vjet burg, Jilmazi me 11 dhe Seleku me 5 vjet burgim.
Ata ishin të akuzuar se kishin operuar si një celulë gjermane radikale e Unionit Islamik Xhihad kundër shtetasve amerikanë dhe kapaciteteve të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe bazën ushtarake ajrore në Ramshtejn.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›