Humbet Gramshi, izolohet fusha dhe gjyqtarët e FSHF-së për 3 orë
Nga Gramshi, Artan Paja
Gramshi Kukësi 0-1
Shënues: Jevdjeviç 30 (11-metërsh)
Gramshi: Lo.Koçi, Kote, Doçi, Bodurri, Marishta (Maçolli 70), Lezi, Çekrezi, Myftaraj, Le.Koçi, Pengu (Uka 46), Kaloshi.
Trajner: E. Mustafaraj.
Kukësi: Koçi, Rexhepi, Mziu, Pashaj, Jevdeviç, Kola (Xhetani 69), Thana, Ivanaj, Malo (Berberi 85), Lila, Rënxa. Trajner: Sh. Berberi.
Gjyqtarë: E. Hoxha, G. Koka, R. Çokaj (Lezhë)
Kartonë të verdhë: Kote, Pashaj, Thana, Berberi
Karton i kuq: Pashaj
Ndoshta lakmia për të prekur kreun e renditjes bëri që ndeshja midis Gramshit dhe Kukësit të merrte vlerësime maksimale, gjë që u vu re edhe nga të pranishmit në stadium. Kështu, dy toga speciale të ardhura nga Fieri kanë shoqëruar takimin, që mbartte vlera të posaçme, pasi edhe i deleguarin ishte një emër i njohur i futbollit shqiptar, Hito Hitaj.
Loja ka nisur e qetë, ndonëse me një terren të vështirë për shkak të shirave të rënë 24 orët e fundit. Vendësit provojnë me anë të kapitenit Çekrezi të shënojnë, por topi përfudon jashtë kuadratit. Sulmojnë edhe kuksianët me anë të dyshes Lila-Rënxa, por edhe ata pa rezultat. Në minutën e 29-të shkaktohet një faull jashtë zonës gramshiote, por kryesori Hoxha gjykon për një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Jevdjeviç. Rastet për shënim janë të shumta në vazhdim, por nuk do të ketë gola të tjerë deri në fund të takimit. Gjatë pjesës së dytë, pikërisht në minutën e 78-të, sulmuesi Ledio Koçi depërton bukur në zonën e rreptësisë, ku ndalet nga Xhetani në mënyrë të parregullt. Gramshiotët pretendojnë për 11-metërsh, por kryesori Hoxha e sheh të arsyeshme të akordojë një goditje dënimi. Në këtë mënyrë, ekipi mik i Kukësit, e ka parë veten triumfues në fund të ndeshjes, duke marrë edhe tri pikët e para në transfertë, ndërsa Gramshi shënon humbjen më të hidhur të tij deri tani.
Tifozët bllokojnë daljet, ndërhyn kryebashkiaku Bici
Por jo gjithçka është mbyllur me vërshëllimën përfundimtare të Hoxhës. Me qindra sportdashës gramshiotë të irrituar kanë bllokuar portat e jashtme të fushës për tu ”sqaruar” me gjyqtarët lezhjanë. Kjo bën që ekipet të mbyllen në dhomat e zhveshjes. Eshtë dashur ndërhyrja e kryebashkiakut të Gramshit, Dritan Bicit, që kuksianët të vazhdojnë rrugën për në shtëpi, ndërkohë që nuk është pajtuar me gjyqtarët e kësaj ndeshjeje. Këta të fundit kanë mbetur të izoluar dhe të rrethuar nga forca të shumta policore. Në fund, kryebashkiaku Bici tha se FSHF-ja ishte paralajmëruar që të mos dërgonte gjyqtarë, të cilët provokojnë haptazi djersën dhe mundin e një qyteti të tërë. Ditët në vijim pritet që drejtuesit më të lartë të Gramshit ta rishohin pozicionin, nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e garës apo do të tërhiqen. Ata janë të bindur se skuadra gramshiote është masakruar sistematikisht në Gramsh nga autoriteti më i lartë i futbollit në vend.
Trajnerët
Edmond Mustafaraj, trajner i Gramshit: E vlerësuam kundërshtarin, por, siç e patë, këtu nuk u luajt ndeshja nga ekipet, por nga vetë kryesori Hoxha dhe anësorët. Nuk di çfarë të them. Javën e kaluar e kontestuam gjykimin në Velipojë dhe ja rezultati. Federata duhet ta kuptojë se Gramshi nuk është ekip i Tibetit, por është taksapagues korrekt i ligjeve të vëna nga ajo. Edhe sa duhet të paguajmë që të luajmë futboll të ndershëm.
Shahin Berberi, trajneri i Kukësit: Erdhëm në Gramsh të bindur se do të zhvillonim një lojë të bukur dhe rezultative. Rrjedha e lojës foli për ne. Gramshi është një ekip i fortë dhe i uroj suksese.