E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tifozet e Formula 1 e festuan titullin e fituar nga Sebastian Fetel

Sportet janë edhe më të bukur sepse krijojnë disa botë krejt të veçanta ku jetojnë njerëz krejt të ndryshëm dhe që përjetojnë ndjenja të forta, në të njëjtën kohë që idhujt e tyre provojnë ndjenjat e fitores apo të humbjes.

Të tilla ndjenja krijoi edhe Sebastian Fetel pas fitores së titullit botëror në Formula 1, për të dytin vit radhazi, ndonëse doli vetëm i treti në Japoni.

Ja një qytet i vogël gjerman, i quajtur Hepenhajm, dhe që qëllon të jetë qyteti i lindjes së Fetelit. Tifozët e pilotit të Red Bullit u mblodhën dhe festuan duke brohoritur e vërshëllyer arritjen e madhe të beniaminit të tyre.

Diku duke thirrur, diku me veshje të thjeshta, por diku edhe me kapele bejsbolli apo me flamurin e Red Bullit, ndërsa gjithçka ndodh mes aromës së mishit dhe shijes së verës.

Diku ka edhe lot në sy nga emocionet e shumta, por më së shumti ka këngë dhe gota vere me të cilat bëhen urime dhe ngrohet shpirti në këto ditë që kanë sjellë shumë të ftohtë me vete.

Tifozët kanë shumë dëshirë të shprehin opinionet e tyre, natyrisht, si fitimtarë.

“Nuk gjej fjalë. Ai bëri gjithçka që ne shpresonim. Ai ia arriti sërish dhe kjo është gjëja më e rëndësishme”.

“Jam i lehtësuar, shumë i lehtësuar. Unë e dija se ai mund të fitonte sot pasi Meklareni ishte shumë i fortë. Por, unë mbështes Fetelin, për titullin”.

“Në garën e fundit dhe duhej vetëm një pikë, ndërsa tani ia kemi arritur dhe kemi kampionë të botës. Nuk ka rëndësi nëse fituam, apo dolëm të tretët, rëndësi ka vetëm titulli botëror”.

Tashmë qyteti mund të quhet edhe “Fetelhajm” dhe jo Hepenhajm, për nder të qytetarit më të njohur të tij dhe ky komunitet i vogël gjerman dëshiron të shfrytëzojë deri në palcë gëzimin dhe lumturinë e këtyre ditëve, pasi natyrisht që nuk mund të vazhdojnë gjatë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›