Gramozi i shpëton humbjes në kohën shtesë
Nga Erseka, Kristi Lilo
Shënues: Bilibashi 91 / Veri 85
Gramozi Ada 1-1
Gramozi: Dervishi, Kodra (Mete 84) , Shehu, Lamaj, Fasko, Bilibashi, Saliko (Omeraj 46), Musabelliu, Shupe, Nelaj (Kita 56), Hysolli.
Trajner: I. Qirjako.
Ada: Dervishaj, Tota, Isufi, Arra, Ferlushkaj, Osja, Lini, Dalipi (Veri 84 ) , Lifja (Murati 56), Puka (Selmani 75), Pëllumaj. Trajner: S. Nikaj.
Gjyqtarë: A. Beqiri, N. Bregasi, D. Myftari (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Dervishi, Kodra, Bilibashi, Shupe, Lini, Dalipi
Karton i kuq: Lini
Kolonjarët ishin përgatitur për fitore në ndeshjen me Adën, pasi ktheheshin në fushën e tyre pas dy javësh, por nuk kanë shkuar më shumë se barazimi. Madje kanë qenë me fat, pasi kanë barazuar në shtesë me 11-metërsh, ndërkohë që Ada kryesonte, edhe pse me 10 vetë. Një ndeshje, që, nisur nga mënyra si shkoi loja, i ka kënaqur sportdashësit kolonjarë dhe stafin teknik. Gramozit i ka kushtuar një gabim i rëndë i portierit Dervishi, që ka lëshuar topin në zone dhe, Veri e ka shfrytëzuar këtë mundësi , duke shënuar për Adën. Loja është luajtur thuajse e gjitha në gjysmëfushën e Adës, por kolonjarët nuk kanë ditur ti shfrytëzojnë rastet e krijuara, ndërkohë që kanë ndikuar edhe mungesat për shkak të dëmtimeve dhe pezullimeve.
Ndeshja nis me ritëm nga vendësit, që shkojnë shpesh drejt portës së Adës, por nuk janë konkretë përpara saj. Hysolli bën goditjen e parë dhe më pas provojnë Kodra dhe Nelaj, por topi nuk shkon në rrjetë. Shupe sakrifikon duke luajtur i dëmtuar. Ai është një nga më të mirët dhe provon edhe të shënojë, por pret Dervishaj. Miqtë bëjnë zbritjen e parë në minutën e 35-të, kur Lini godet në drejtim të portës, por grushton portieri Dervishi. Edhe Bilibashi gjuan bukur, duke e detyruar Dervishajn të bëjë një pritje të vështirë, duke e nxjerrë topin në goditje këndi. Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa e dyta është më e bukur. Kolonjarët e kërkojnë golin me ngulm, por fillimisht Shupe dhe më pas Hysolli, Musabelliu, Bilibashi dhe Omeraj, nuk arrijnë të shënojnë. Shupe nuk ka fat në minutën e 70-të, kur godet me kokë dhe topi përplaset në shtyllë, pasi portieri mik ia ka ndryshuar drejtimin. Kur pritej goli i Gramozit, vjen ndëshkimi nga Ada. Portieri vendës gabon duke e lëshuar topin, ndërkohë që pas shpine kishte Verin, që ia rrëmben dhe e dërgon në rrjetë. Kolonjarët reagojnë dhe, në minutën e parë shtesë mbrojtësi Fasko hyn bukur në zonë, shmang dy lojtarë miq dhe nxjerr të lirë Bilibashin, që barazon, duke e shpëtuar Gramozin nga humbja e tretë radhazi.
Trajnerët
Ilir Qirjako, trajner i Gramozit: Mund të them se ekipi luajti mirë, por u ndëshkuam nga një gabim aksidental i portierit. Gramozi ka mundësi për më shumë. Kjo u pa dhe sot , kur reaguam mirë dhe shënuam në minutat e fundit. Futbolli është edhe fat. Jam i kënaqur edhe me barizimin, nisur nga rethanat e këtij takimi.
Samuel Nikaj, trajner i Adës: Erdhëm në Ersekë me një vlerësim të madh, pasi e dinim se kishim përpara një ekip me pretendime. Rezultati i përgjigjet lojës që zhvilluan të dy ekipet. Dua të theksoj se në Ersekë luhet futboll i pastër dhe, nëse luhet në çdo fushë në këtë mënyrë, futbolli i kategorisë së parë do të ecë përpara. Dua të falënderoj publikun për mikpritjen.