Për Burrelin mendon kapiteni Dritan Gjoka
Nga Dritan Kurti
Burreli Himara 10
Shënues: Gjoka 35
Burreli: Halluni, Gjoka, Haxhia (Radaj 91), Ohadiro, Allmeta, Hoxha (Belba 66), Mata, Çaku, Pepa, Frisku, Neli (Hasanj 77). Trajner: L. Kola.
Himara: Dine, Telushi, Mehmeti, Imeraj, Goro (Myftari 65), Ziaj (Cana 68) Rushani, Sako, Sina (Kanani 46), Uashington, Kokona. Trajner: V.Laluci.
Gjyqtarë: P. Lapi, M. Qeseri, S. Zekaj (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Mata, Belba, Ziaj, Sako, Rushani
Karton i kuq: Ohadirio
Ekipi matjan ka arritur të marrë tri pikët dje në stadiumin Liri Ballabani, ku ka pritur Himarën debutuese. Edhe pse me rezultat të ngushtë, është një fitore e rëndësishme për matjanët, që i janë falur golit të Gjokës. Janë vendësit që në fillim e kërkojnë golin, por terreni i rënduar bëhet pengesë. Përpjekjet e tyre konkretizohen vetëm në minutën e 35-të nga Gjoka, por më parë vlen të përmendet rasti i Allmetës, që ka gjuajtur fort, por Dine ka kontrolluar topin. Një rast të mirë kanë edhe miqtë me Kokonën në minutën e 18-të, por pa rezultat. Venidmtare është minuta e 35-të, kur Gjoka tregohet i vëmendshëm dhe tund rrjetën e himarjotëve. Në minutën e 40-të është sërish Allmeta që gjuan nga distanca, por Dine tregohet i saktë në ndërhyrje dhe shpëton portën. Në pjesën e dytë loja bëhet disi interesante, por ka probleme për treshen gjykuese. Gjyqtarët nuk merren vesh mirë me njëri-tjetrin dhe ky fakt sjell edhe acarime në fushë, si dhe kartonë për të dy ekipet. Dhënia e shumë goditjeve të dënimit në mënyrë të pakontrolluar nga kryesori Qeseri, bën që futbollistët të acarohen. Në minutën e 52-të, Imeraj gjuan fort në afërsi të portës matjane, por topi kalon sipër traverses, kurse Kokona nuk arrin të mposhtë portierin Halluni. Haxhia gjuan nga një distancë e largët dhe topi grushtohet me vështirësi nga Dine, që e shpëton Himarën nga goli i dytë. Për miqtë rrezikon edhe braziliani Uashington, por topi i gjuajtur prej tij devijohet nga mbrotja matjane. Haxhia në të 70-ën godet shtyllën pingule, ndërsa Allmeta, pasi shmang mbrojtjen e Himarës, pengohet nga portieri Dine të shënojë.
Në minutën e 85-të ndodh një incident me protagonist kryesorin Qeseri, i cili akordon një goditje dënimi, pa parë se anësori kishte ngritur flamurin për pozicion jashtë loje të njërit prej futbollistëve të Himarës. Edhe pas konsultimeve, Qeseri vendos për goditje dënimi, që sjell edhe ndëshkimin me karton të kuq të Ohadiros, kur ky i fundit po i kërkonte arsyen e këtij vendimi.
Flamuj shqiptarë, për inat të himarjotëve
Për tu përmendur është fakti se gjatë ndeshjes së djeshme, në stadiumin e Burrelit janë valvitur flamuj shqiptarë. Ky veprim është ndikuar nga ajo që himarjotët kanë bërë një javë më parë në fushën e tyre, kur në ndeshjen me Butrintin kanë valvitur flamuj grekë. Pavarësisht kësaj, nuk ka pasur thirrje me karakter racist.
Trajnerët
Lulzim Kola, trajner i Burrelit: E merituam këtë fitore, edhe pse nuk na pëlqeu gjykimi. Ne luajtëm me rezerva, pasi ishim me 5 mungesa. Megjithatë, mendoj se futbollistët e justifikuan veten, si dhe kënaqën tifozërinë matjane.
Vangjel Laluci, trajner i Himarës: Nuk më ka pëlqyer aspak gjykimi. Nuk kam më shumë komente.