E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermani Rafati, "bilbili" i finales

Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se ndeshja finale e Kupës së Shqipërisë do të drejtohet nga një treshe gjyqtarësh gjermanë. Kryesor do të jetë gjyqtari me origjinë iraniane, Babak Rafati, i cili që në fillimin e këtij viti është pjesë e gjyqtarëve të FIFA-s. Ndërkohë, asistentë të tij për këtë ndeshje do të jenë Karsten Kadah dhe Mike Pikel. Pas kërkesës së Vllaznisë dhe Tiranës për gjyqtarë të huaj në këtë sfidë të rëndësishme, FSHF ka kontaktuar me federata të ndryshme duke marrë një "OK" nga Gjermania, e cila ka dërguar një prej gjyqtarëve të perspektivës, i cili pritet të bëhet një emër i njohur në arenën ndërkombëtare gjatë viteve të ardhshme. Sipas burimeve pranë institucionit të futbollit shqiptar, dy klubet do t‘i paguajnë rreth 15 mijë euro treshes së gjyqtarëve gjermanë për këtë sfidë, pasi në raste të tilla janë ata që marrin përsipër të gjitha shpenzimet për raste të tilla. Megjithatë, duke parë se në këtë ndeshje luhet jo vetëm trofeu i Kupës së Shqipërisë, por edhe pjesëmarrja në Kupat e Evropës, dy klubet kanë qenë më se të gatshme të investonin 7500 euro për të sjellë gjyqtarët e huaj. Rafati është një nga gjyqtarët që ka bërë bujë në këtë sezon në Bundesligë, ku ka drejtuar deri tani 15 ndeshje. Në ndeshjen e Hertës së Berlinit ndaj Borusias së Dortmundit, ai ndëshkoi me karton të kuq Panteliç, por pas konsultimit me asistentin, jo vetëm që anuloi vendimin, por edhe i kërkoi menjëherë falje futbollistit në fjalë. Përveç 15 ndeshjeve të gjykuara në Bundesligë, gjatë këtij sezoni ai ka drejtuar edhe 8 takime të Bundesligës 2, 7 takime të Ligës Rajonale, 2 takime të Kupës së Gjermanisë dhe 1 takim të Kupës së Ligës. Rafati do të jetë gjyqtari i pestë i huaj që gjykon një ndeshje mes skuadrave shqiptare. I pari ishte spanjolli Fernandez Marin në vitin 2002, i cili u pasua nga Xhanluka Paparesta në vitin 2003, Alfredo Trentalanzh po në vitin 2003 dhe Stefano Farina në vitin 2006. Në këtë ndeshje të fundit, përballë ishin sërish Tirana dhe Vllaznia, të cilat edhe atëherë luanin në finalen e Kupës së Shqipërisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›