E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në pritje të futbollit të vërtetë

Le të kujtojmë fjalët e presidentit Bizhdili në prag të ndeshjes me Partizanin: " Nuk na intereson se çfarë thuhet për fatin e ndeshjes. Besa ime luan për vete dhe jo për të tjerët". Një deklaratë që duket sikur e kemi dëgjuar edhe herë të tjera. Një ditë, kur në stol ishte Starova, pas një humbjeje të paralajmëruar, pikërisht ky Bizhdili pati befasuar pas ndeshjes: "Fajin për humbjen e marr unë. Nuk kanë përgjegjësi futbollistët dhe trajneri". Por tani, në javët e fundit të kampionatit, presidentët edhe pse kanë zbritur në fushë dhe loja e tyre është e lexueshme, nuk ndjehen në pozicion ofsajt. Sa herë që Partizani udhëton në Kavajë, duhet të shikojmë në sy presidentët miq për të kuptuar atë që do të ndodhë në fushë. Besa që u shfaq ëe shtunën, për 90 minuta ishte shumë larg ekipit që la zemrën në fushë në fazën e parë për të mundur "demat". Akoma më keq kur kujton thirrjet akuzë të tifozëve kavajas. Ashtu si një javë më parë në "Loro Boriçi", kur tifozët shkodranë ia mbathnin ende pa mbaruar ndeshja. Po tani pas fitores së Partizanit dhe shtrirjes së vendasve, nuk mund të thuhet se të kuqtë luajnë një kampionat pa aleatë. Në këtë moment askush nuk mund të qahet për "sistemin e famshëm" apo për një "kampionat që luhet më shumë në tavolina". Për 3 pikët "magjike", pretendentët po shfaqen edhe në semafor. Dhe për koincidencë, të gjithë flasin për ndeshjen direkte dhe jo për dredhitë që po bëjnë në udhëtimin e tyre. Dinamo dhe Partizani, dy ekipe të lavdisë së dikurshme, e quajnë të moralshme kur futbolli i tyre luhet edhe në prapaskenë.

Për disa është ngushëllim i madh që finalja e Kupës midis Tiranës dhe Vllaznisë është një lojë, së cilës nuk i dihet fundi. Kjo logjikë merr jetë nga ato që kanë ndodhur vitet e fundit, kur fituesit e finales janë shpallur më parë se vetë loja. Cilido që të triumfojë të mërkurën, siç thotë edhe presidenti i Vllaznisë, Fushaj, askush nuk mund të thotë se ishte fundi i serialit të llogarive. Në rastin e një fitoreje nga ana e Tiranës, triumfi do të përdorej si kozmetikë për një sezon, ku kampionët folën më shumë se sa luajtën. Kurse për shkodranët, një trofe në këto momente do të përjetohej ndryshe, pasi ekipi dhe tifozët shkodranë kurrë nuk kanë qenë kaq larg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›