Gjermani, prokurorët kërkojnë dënim maksimal për Ukën

Prokurorët gjermane kërkuan një dënim maksimal për Arid Ukën, i cili është i akuzuar për vrasjen e dy pilotëve amerikanë, dhe plagosjen e dy të tjerëve vitin e kaluar në Frankurt. Prokurori federal Jochen Weingarten tha se 21-vjeçari kosovar Uka meriton dënim maksimal pasi ka vepruar me egërsi gjatë sulmit.
Ndërkohë gjykata e Frankfurtit tha se do të japë vlerësimin më 30 janar, pasi kanë dalë prova të reja gjatë procedurës penale kundër sulmuesit të dyshuar Arid Uka, e kjo gjë e bën të domosdoshme vazhdimin e shqyrtimit të provave. 21- vjeçari nga Kosova ka pranuar për të shtënat e 2 marsit, nga të cilat u vranë dy ushtarë amerikane dhe 2 të tjerë u plagosën.
Provat kanë të bëjnë me një raport gazette, sipas së cilës dyshohet se Uka ka marrë pjesë në një kamp trajnimi të terroristëve në Bosnje, në verën e vitit 2010. Raporti thotë se Uka është parë në qytetin boshnjak të Zenicës, në verën e vitit 2010. Autoritete amerikane janë tronditur nga sulmi, ndërsa kanë frikë se Uka mund të jetë pjesë e ndonjë grupi militant islamik.