E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunarët: Për Serbinë mund të tërhiqemi nga referendumi

Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e katër komunave të veriut të Kosovës.

Pas bisedimeve, i ashtuquajturi kryetar i Mitrovicës së veriut, Kërstimir Pantiç, ka paralajmëruar mundësinë që “pushteti lokal të rishikojë vendimin për mbajtjen e referendumit në veri të Kosovës”.

“Ne nuk duam të sjellim asnjë vendim që do të ishte në kundërshtim me interesat shtetërorë dhe kombëtarë. Nëse dëshmohet se shtyrja e referendumit do të sillte progres dhe do t`i lehtësonte pozicionin Qeverisë dhe presidentit Boris Tadiç, jemi të gatshëm të bisedojmë edhe për lëvizjen e paralajmëruar”, ka thënë Pantiç për mediat serbe.

Sipas tij, vendimin për mbajtjen e referendumit e kanë sjellë kuvendet komunale dhe “vetëm ato mund ta shfuqizojnë ose ta shtyjnë”.

Nga ana tjetër, Bogdanoviç është shprehur se në këtë moment është e panevojshme mbajtja e referendumit në veri të Kosovës. Ai ka theksuar “rëndësinë e koordinimit ndërmjet përfaqësuesve serbë të veriut dhe Qeverisë së Serbisë”.

“Referendumi i veriut” është paralajmëruar të mbahet në Mitrovicë, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, më 14 dhe 15 shkurt.

Përmes tij synohet të qartësohet vullneti i serbëve për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›