SHBA shpëton anijen e tretë iraniane
Marina e SHBA-së deklaroi se ka udhëhequr një operacion-shpëtimi për të ndihmuar ekuipazhin e një anije iraniane nga fundosja. Një operacion i tillë është i treti në radhë brenda dy javëve.
Sipas autoriteteve amerikane, anija Al Mamsor kishte tre ditë që po luftonte me përmbytjet. Mësohet se marina tashmë u ka ofruar ushqime anëtarëve të ekuipazhit.
Ngjarja vjen në mesin e tensioneve në rritje midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Ky i fundit ka kërcënuar se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit, një rrugë kjo me rëndësi jetike për trafikun e naftës botërore, në përgjigje të sanksioneve të Perëndimit.
SHBA dhe aleatët e saj kanë sanksionuar Iranin për shkak të aktiviteteve të tij bërthamore, që druhet se kanë për qëllim krijimin e armëve atomike.