Mësim në shtëpinë e braktisur nga gjakmarrja
Fëmijët e dy fshatrave në Rrethin e Malësisë së Madhe bëjnë mësim në një shtëpi të braktisur për shkak të gjakmarrjes. Bëhet fjalë për fshatrat Baliaj dhe Mushqerë, në Komunën Gruemirë të Rrethit të Malësisë së Madhe, 15 kilometra larg qytetit të Shkodrës. Janë gjithsej 10 fëmijë të moshave të ndryshme, që i përkasin sistemit arsimor 9-vjeçar, të cilët nuk kanë një godinë ku të zhvillojnë mësim, pasi shkolla e tyre në fshatin Mushqerë është krejtësisht e shkatërruar. Aty mungojnë dyert, dritaret, bankat, uji dhe dritat, madje në disa pjesë çatia ka pësuar shembje. Një banor i zonës, i cili e ka braktisur banesën për arsye gjakmarrjeje, ua ka falur atë fëmijëve të fshatit për të zhvilluar mësim. Në këtë shtëpi, e cila në pamje të jashtme, nuk të ngjason aspak me një institucion arsimor, çdo ditë vijnë fëmijët e fshatit Baliaj dhe Mushqerë për të bërë mësim. Kushtet e vështira i kanë detyruar banorët e zonës të braktisin fshatin, për të shkuar diku gjetkë në kërkim të një jete më të mirë. Kështu nga 50 familje që dikur numëronte ky fshat, vitet e fundit numri i tyre është reduktuar në 20 dhe kjo ka ulur numrin e nxënësve nga viti në vit. Nëse para disa vitesh, shkolla fillore kishte 60 nxënës, sot numërohen vetëm 10. Shkolla në fshatin Mushqerë deri në vitin 2000 ka qenë një shkollë model, për sa i përket kushteve ku bëhej mësim, por më pas vetë banorët u treguan të papërgjegjshëm, duke marrë hekurat dhe dyert e shkollës dhe i shitën për skrap. Kjo bëri që sot fëmijët të mbesin mes katër rrugëve pa shkollë, në mëshirë të ndonjë banori që "u dhuron" shtëpinë për të bërë mësim. Ndërkohë drejtues të Drejtorisë Arsimore në Rrethin e Malësisë së Madhe shprehen se "fëmijët do të merren dhe do të bashkohen në një shkollë të vetme. Godina e shkollës së asaj zone ka qenë shumë e mirë, por është dëmtuar nga banorët e zonës dhe zgjidhja që bëhet mësim tek ajo shtëpi ka qenë emergjente, pasi nuk ka pasur zgjidhje tjetër".
A.Hoti
A.Hoti