E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grosistët: Rrezikojmë të ndërpresim importin e barnave

Rritja e çmimit të euros, apo zhvlerësimi i lekut, nuk po krijon probleme vetëm tek ata të cilët po shlyejnë kredinë në banka.

Në një kohë kur nga dita në ditë, euro po fiton pikë kundrejt monedhës vendase edhe grosistët, furnizuesit e farmacive me barna, aktualisht ndodhen në udhëkryq. Shoqata e Grosistëve, por edhe Urdhri i Farmacistëve, po japin alarmin të parët për sa i takon problemeve që po i kanosen zinxhirit, grosist-farmacist-konsumator. Nga muaji mars, kur euro nisi të rritet kundrejt lekut me disa pikë, Shoqata e Grosistëve kërkoi nga Ministria e Shëndetësisë të merren masa. Konkretisht furnizuesit e ilaçeve kërkuan që Drejtoria e Farmaceutikës në ministri të hartonte një projektvendim, e më pas ta dërgonte për miratim në Këshillin e Ministrave. Për shtatë muaj me radhë, që nga marsi e deri tani, nuk është marrë asnjë përgjigje. Në këto kushte, kur grosistët thonë se po tregtojnë barna me humbje, tregu i farmaceutikës rrezikon krizën. Grosistët deklarojnë se do të bllokojnë importin e barnave në rast se nuk gjendet një zgjidhje e shpejtë.

Urdhri i Farmacistëve ka deklaruar se parashikohet një krizë në tregun e barnave, ku do të përfshihet rritja e çmimit të barnave, atyre të listës me rimbursim, ose bllokim të importit të ilaçeve. Aktualisht 90 për qind e barnave që tregtohen në vendin tonë importohen nga jashtë dhe vetëm 10 për qind prodhohen në Shqipëri.

Kriza

Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë, si një ndër bashkëpunëtorët dhe aktorët kryesorë në sistemin shëndetësor, e sheh me shqetësim të madh një pasojë potenciale negative për këtë sektor, që vjen për shkak të zhvlerësimit të lekut. Mbajtja e pandryshuar nga qeveria, e kursit të këmbimit valutor vetëm për barnat që importohen, ka një risk të lartë për stopimin e importit të tyre në një të ardhme shumë të afërt. Sipas vendimit nr. 56, datë 28.01.2005 të Këshillit të Ministrave, si referencë për ndryshimin e kursit të këmbimit valutor, merret kursi mesatar i Bankës së Shqipërisë në gjashtëmujorin e fundit. Mbështetur në këtë vendim, kursi vazhdon të qëndrojë në raportin e këmbimit: 1 euro me 123.2 lekë dhe 1 $ me 90.31 lekë. Sot 1 euro u këmbye me 140 lekë, pra 17 lekë më shumë se kursi i këmbimit i përcaktuar nga VKM-ja.

Zgjidhja

Kërkesat që i janë drejtuar Dikasterit të Ministrisë së Shëndetësisë kanë qenë përgatitja e një projektvendimi dhe arritja e një marrëveshjeje për sa u takon barnave me rimbursim.

Për blerjen e listës së barnave me rimbursim duhet të ketë një marrëveshje, në rast se rritet çmimi i euros, atëherë le të paguajë shteti diferencat. Në të kundërt, në rast se ulet çmimi i dollarit apo i euros, atëherë diferencat t‘i paguajnë importuesit. Këto janë zgjidhjet që ka propozuar Shoqata e Grosistëve. Një tjetër propozim i kërkuar nga blerësit e ilaçeve është edhe për barnat pa rimbursim. Që të mos rrezikojmë konflikte me uljet apo rritjet e çmimeve në tregun e valutës, atëherë të mos ketë vendosje të çmimeve të barnave, ato të jenë të lira, tregu të jetë i liberalizuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›