E Diel, 1 Nëntor 2026

Amullia e çmimit të barnave

Mbi 98% e kompanive farmaceutike që operojnë në vendin tonë kanë deklaruar në Ministrinë e Shëndetësisë çmimet në monedhën euro dhe importimi i tyre nga kompanitë importuese bëhet po në euro. A mundet që një bar, i cili është blerë një euro, pra 140 lekë, të shitet 123 lekë?!

Ligji dhe VKM-të që kanë të bëjnë me Komisionin e Çmimit të Barnave dhe çmimet e barnave kanë ndryshuar katër herë. Duke ndryshuar disa koncepte bazë si ai i negocimit dhe zbatimit të një reference statike pa kufij të mundshëm të ndryshueshëm brenda vitit kalendarik, legjislacioni aktual ka krijuar një amulli në shërbimin farmaceutik lidhur me çmimet e barnave për konsumatorin e barnave.

Shumë pacientë kanë krijuar imazhin sikur farmacistët i vendosin vetë pullat, gjë që ka sjellë situata konfliktuale dhe padrejtësisht fyese për farmacistët.

Katër ndryshimet e kryera kanë lidhje me tre ministra Shëndetësie të zëvendësuar njëri pas tjetrit, brenda një periudhe të shkurtër kohe, të cilët pas presionit të vazhdueshëm të kompanive farmaceutike për normalizimin e kësaj dukurie, janë përpjekur si për ta rregulluar këtë anomali, por qeveria me vendimet e marra e ka prishur edhe më keq.

Importuesit tashmë duket se janë lodhur me këtë histori. Heshtja e tyre tregon se kanë zgjedhur "më mirë të pushojmë për momentin, sepse nuk mund të shesim me humbje" dhe t‘ia kalojnë barrën qeverisë. "Mendohuni ju qeveritarë, rregullojini këto fenomene pa presionin tonë, se ne po presim!".

Jemi përpara një rreziku akoma të padukshëm, por që është real dhe mendojmë se duhet vlerësuar. Nuk është momenti të tregojmë përralla siç bën ndonjë qeveritar se "kanë dhjamë farmacistët, se ata duhet ta përballojnë vetë humbjen apo nuk bëjmë ndryshime në prag fushatash". Fushata ka mbaruar, qeveria ka rifilluar punën dhe është momenti që duhet vlerësuar me seriozitet dhe angazhim maksimal.

Ministria e Shëndetësisë, ISKSH-ja dhe të gjithë ne aktorët e këtij shërbimi, kemi përgjegjësinë para qytetarëve dhe detyrimin t‘ju shërbejmë. I sëmuri ka nevojë jo vetëm për mjekun, por edhe për farmacistin, edhe për barin.

Importuesit farmaceutikë duhet të thyejnë "heshtjen e keqe" dhe të rindërtojnë urat e bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë për të ruajtur disponueshmërinë e barnave në çdo kohë. Qeveria duhet të reagojë sa më shpejt në ushtrimin e kompetencave dhe përgjegjësive të saj. Të gjithëve ne na detyron profesioni të mos heshtim asnjëherë kur bëhet fjalë për mbrojtjen e shëndetit të njeriut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›