E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania/ Lëv: Skuadra ime, për kurorën e Euro 2008-s

Nga Altin B. Kodra

Trajneri i Gjermanisë, Joakim Lëv, beson se ritmi dhe siguria në vetvete që skuadra përfaqësuese e vendit organizator fitoi në Botërorin e këtij viti në shtëpinë e saj, mund ta cojë atë drejt suksesit në Evropianin e ardhshëm, Euro 2008. "Besimi në vetvete që ne fituam duke u përballur, majde edhe duke i mposhtur, me disa nga skuadrat më të mira në botë, do të mbetet në atmosferën e skuadrës dhe në mund ta përdorim këtë në të mirën tonë, - deklaroi dje Lëvi. –Ajo që pritet është mjaft e madhe, por unë pres gjithashtu që të mbizotërojë edhe një dozë normale e të qenit realist." "Tashmë, ne duam të korrim në Euro 2008-n atë që nuk arritëm në shtëpinë tonë dhe kjo nënkupton titullin e kampiones së Evropës", - shtoi më tej ai, në të parën konferencë për shtyp që ka dhënë që nga koha kur zëvendësoi në postin e trajnerit të Gjermanisë, ish-futbollistin e famshëm, Jurgen Klinsman. Duke i bërë të qarta synimet e tij përpara ndeshjes së tij të parë në krye të pankinës së përfaqësueses gjermane, atë miqësore që vendasit do të luajnë në Gelsenkirshen kundër Suedisë, Lëvi tha se ai do t'i qëndronte besnik të njëjtës lojë me natyrë sulmuese që funksionoi më së miri në Botërorin 200, ku Gjermania zuri vendin e tretë. "Ne patëm një Botëror të kënaqshëm, ndonëse nuk e arritëm dot atë objektiv që i kishim vënë vetes", - tha Lëv, duke iu referuar faktit se Gjermania nuk mundi të shkonte në finale, pasi u mund me rezultatin 2-0 nga Italia, me dy gola të shënuar në kohët shtesë të gjysmëfinales midis tyre. "Ne duam dhe synojmë që t'i rikthejmë Gjermanisë titullin e kampiones së Evropës", - shtoi trajneri i ri i Gjermanisë, duke vijuar pikërisht aty ku e kishte lënë paraardhësi i tij, Klinsman, duke vendosur objektiva ambiciozë dhe duke e injoruar rrezikun e përballjes me kritikat që vijojnë në rast dështimi. Gjermania e nis fushatën e saj eliminatore për në Evropianin e 2008-s, që do të organizohet bashkarisht nga Austria dhe Zvicra, më 2 shtator 2006, me ndeshjen kundër Irlandës, që do të luhet në Shtutgart. Lëv, i cili është trajneri i 10-të me kohë të plotë që Gjermania ka patur që nga 1923-shi, tha se shpresat janë rritur dramatikisht që nga paraqitjet e mira që Gjermania bëri në Botëror, pas aty zhgënjyese që kishte dhuruar para fillimit të kësaj veprimtarie që u organizua në shtëpinë e saj. "Nuk jam fare nervoz në prag të kësaj ndeshjeje, - tha ai. - Nuk është se ka ndryshuar ndonjë gjë e madhe, natyrisht, përvec faktit që do të jem unë i pari që do të kritikohem nëse gjërat nuk shkojnë mirë." Gjermania Klose-Podolski, sulmi që nuk ndryshon Trajneri i përfaqësueses së Gjermanisë, Joakim Lëv, bëri të ditur të dielën se sulmuesi Lukas Podolski do të luajë në ndeshjen miqësore ndaj Suedisë, të mërkurën në Gelsenkirshen, ndonëse nuk ka qenë titullar në klubin e tij të ri, Bajernin e Mynihut. "Miroslav Klose e Lukas Podolski do të luajnë në ndeshjen ndaj Suedisë, pasi ky është një bashkëpunim që funksionoi shumë mirë në Botërorin 2006", - theksoi dje, gjatë konferencës se tij të parë të shtypit si trajner i përfaqësueses. Ai shprehu habinë e tij përsa i përket faktit se Podolski qëndron në pankinën e Bajernit, pavarsisht asaj që tregoi në Boterorin 2006. I zgjedhur si lojtari i ri më i mirë i Botërorit 2006 në Gjermani, Podolski kaloi këtë sezon te kampionia në fuqi e Gjermanisë, Bajerni i Munihut dhe, të premten, në javen e parë të kampionatit, Podolski u aktivizua vetëm në pesë minutat e fundit të ndeshjes së fituar nga gjigandaja bavareze, me rezultatin 2-0, ndaj Borusias së Dortmundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›