E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, 6.3 milionë futbollistë

Me 6.3 milionë anëtarë zyrtarë, Federata Gjermane e Futbollit (apo sic njihet ndryshe Deutscher Fussball-Bund) është organizata më e madhe sportive e këtij lloji në Gjermani. Bundesliga, kampionati gjerman, ka mesataren e dytë më të lartë në botë për nga shikueshmëria pas futbollit anglez.
VENDI - Gjermania, ose zyrtarisht e njohur si Republika Federale Gjermane ka një sipërfaqe prej 357.021 km2 (vendi i 63-të në botë) dhe një popullsi prej dicka më shumë se 82 milionë banorë (vendi i 14-të në botë), njëherësh edhe vendi me popullsinë më të madhe midis vendeve të Bashkimit Europian. Gjermania është vendi i tretë në botë me numrin më të madh të emigrantëvë nga e gjithë bota. Emri Gjermani është dokumentuar për herë të parë 100 vjet para Krishtit. Pas Luftës së Dytë Botërore u nda në dy shtete në vitin 1949 dhe u ribashkua në vitin 1990. Gjermania është anëtare e Kombëve të Bashkuara, NATO-s, grupimeve G8 e G4. Është vendi i tretë në botë përsa i përket prodhimit ekonomik (GDP), dhe eksportuesi më i madh në botë për vitin 2007. Gjermania është Republikë parlamentare. President është Horst Koler, ndërsa kryeministër Angela Merkel, përfaqësuese e CDU-së. Kryeqyteti i Gjermanisë është Berlini me 3.4 milionë banorë.
SPORTI – Sporti është pjesë integrale e jetës gjermane. 27 milionë gjermanë janë anëtarë të një klubi sportiv dhe 12 milionë të tjerë ushtrohen në mënyrë individuale. Futbolli është sporti më popullor. Kombëtarja e Gjermanisë ka fituar tri herë Kupën e Botës (1954, 1974, 1990) dhe tri herë Kampionatin Europian (1972, 1980, 1996). Gjermania ka organizuar Kupën e Botës në vitin 1974 dhe vitin 2006 dhe Kampionatin Europian në vitin 1988. Gjermania i ka organizuar Lojërat Olimpike verore në vitin 1936 (Berlin) dhe në vitin 1972 (Munih), si dhe Lojërat Olimpike Dimërore në vitin 1936. Ndër emrat më të mëdhenj të futbollit janë Franc Bekenbauer, Gerd Myler, Jurgen Klinsman, Lotar Mateus e Oliver Kahn. Ndër sportistët e tjerë, është piloti i Formula 1, Mikael Shumaker.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›