Gjermania, Brazili dhe Holanda, “grupe ferri”
Leonard Karaj
Gjermania, Brazili dhe Holanda janë shortuar në grupe relativisht të vështira, shumë fat për Italinë, Spanjën, Francën dhe Anglinë.
Mes shumë të ftuarve VIP nga gjithë bota është hedhur dje në Kejp Taun të Afrikës së Jugut shorti, që përcaktoi tetë grupet e fazës finale të kampionatit botëror, i cili do të zhvillohet verën e ardhshme. Vazot ishin përcaktuar në bazë të pozicionit të skuadrave në renditjen e FIFA-s dhe ndarjes gjeografike. Pas hedhjes së goglave shorti përcaktoi një fat jo edhe aq të mirë për pluri-kampionët e botës, Brazil dhe Gjermani. “Selecao” e Dungës do të ketë përballë në grupin G Korenë e Veriut, Bregun e Fildishtë dhe Portugalinë. Ndërsa Gjermania, në grupin D do të përballet me Australinë, Ganën dhe Serbinë. Short i vështirë edhe për Holandën e cila do të përballet me Danimarkën, Kamerunin dhe Japoninë. Ndërsa i ka shkuar “vaj” Italisë së Marcelo Lipit, ndaj Zelandës së Re, Paraguajt dhe Sllovakisë. Short i lehtë edhe për kombëtaren e “tre luanëve”, e cila do të përballet me SHBA-në, Algjerinë dhe Slloveninë.
Stadiumet - Botërori do të luhet nga e premtja 11 qershor deri të dielën 11 korrik në 10 stadiume të 9 qyteteve. Oraret: 13:30, 16:00 dhe 20:30. Johanesburg, kryeqyteti i ekonomisë, ka dy impiante. Në “Soccer City”, që ka një kapacitet prej 95 mijë vendesh, do të zhvillohen, ndër të tjera, ndeshja hapëse dhe ajo finale. Në “Elis Park”, tempulli i regbisë (62 mijë vende), do të zhvillohen 7 ndeshje dhe një çerekfinale. Në Pretoria, kryeqyteti administrativ, në stadiumin “Loftus Versfeld” (50 mijë vende) do të zhvillohen 6 ndeshje. Në Kejp Taun ishin planifikuar të shpenzoheshin 280 milionë euro për të rindërtuar “Grin Point”, 70 mijë vende. Në këtë impiant do të zhvillohen 8 ndeshje dhe një gjysmëfinale. Stadiumi tjetër, ku do të zhvillohen më shumë se 6 ndeshje, “Moses Abhida”, i ngjashëm me “Uemblin”, ka arritur në shifrën e 250 milionë eurove.
Tifozët - Në 2008-ën turizmi ka tërhequr 9,5 milionë të huaj në Afrikën e Jugut, teksa priten dy më shumë për Botërorin. Ndërkohë janë lajmëruar turistët-tifozë për lartësinë mbi nivelin e detit dhe të ftohtin, sepse do të jetë dimër. Në fund, mesatarja kombëtare është 50 krime në ditë, ndërsa për ta ulur këtë shifër do të përdoren 41 mijë policë. Ndërkohë Gjermania ka nënshkruar një marrëveshje me Brazilin ditën e enjte për të ndihmuar brazilianët të përgatiten për organizimin e Kupës së Botës në vitin 2014-të dhe për Lojërat Olimpike të 2016-ës.