Lirohet nga burgu i Peqinit Lefter Cenaj
TIRANE – Lirohet Lefter Cenaj, ish-bosi i piramidës “Cenaj & Co”. I dënuari për mashtrim ka lënë dy ditë më parë qelitë e burgut të Peqinit, ku ka qëndruar për rreth një vit, që nga momenti kur u ekstradua nga Greqia. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka ekzekutuar dy ditë më parë vendimin e Gjykatës së Elbasanit, për lirimin me kusht të të dënuarit me 10 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit në shuma të mëdha” të 26 mijë kreditorëve. Vlonjati, aktualisht 56 vjeçar, ish-kreu i njërës prej piramidave që lulëzuan në Shqipëri para vitit 1997, ishte larguar që nga viti 1997 derisa u prangos në Greqi në 2002, ku u dënua nga drejtësia helene për mashtrim, profesion të cilin Cenaj e kishte vazhduar edhe në këtë shtet. Pasi përfundoi dënimin, një vit më parë Cenaj u deportua drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata shqiptare. Ai u dërgua në burgun e Peqinit, ku qëndroi për rreth një vit në një qeli të sigurisë së zakonshme në këtë institucion. Dy ditë më parë ai ka mundur të bindë gjykatën e Elbasanit ta lirojë me kusht, duke argumentuar se ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara nga ligji. Cenaj ka provuar se ka kryer tre të katërtat e dënimit të dhënë nga drejtësia; ka sjellje të mirë në qeli, si dhe gjendja e tij shëndetësore nuk është e mirë, duke provuar se qëndrimi më i gjatë në qeli do t’i sillte pasoja të rënda. Cenaj është dënuar nga Gjykata e Tiranës në vitin 2003 me 10 vjet burg në mungesë pasi ishte larguar jashtë vendit që nga momenti kur firma e tij “Cenaj & Co”, u shpall piramidë. Me vendimin numër 93 datë 10 shkurt 2003, gjykata e kryeqytetit e gjeti fajtor Cenajn për veprën penale të “vjedhjes me anë të mashtrimit” në vlerën financiare 5.734.415.506 lekë, për 25.537 kreditorë. Në momentin e rrëmujave të vitit 1997 Cenaj u largua drejt Greqisë duke marrë me vete paratë që u kishte vjedhur shqiptarëve në skemën piramidale. Në momentin e arrestimit të tij autoritetet helene të drejtësisë ia konfiskuan paratë, ndërkohë që shteti ynë ndodhet në negociata për t’i rikthyer sërish në vendin tonë dhe më pas t’iu shpërndahen kreditorëve. Dy vjet më parë, një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë nën drejtimin e Avokatit të Shtetit mori përsipër negociatat për kthimin e parave të piramidave nga Greqia. f.m.