Gjermania: Britania partner i domosdoshëm në BE

Britania është një partner i domosdoshëm në BE. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle gjatë një vizite në Londër.
Në një konferencë për shtyp me homologun britanik William Hague, Westerwelle ka dhënë garancinë e tij se nuk ka asnjë “axhendë të fshehtë” kundër Mbretërisë së Bashkuar.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Londra të ketë një të ardhme të begatë”, ka deklaruar shefi i diplomacisë gjermane.
Deklarata e tij vjen disa ditë pas asaj të bërë nga kancelarja Angela Merkel, e cila tha gjithashtu para Bundestagut, se Britania e Madhe është një partner i domosdoshëm.
26 nga 27 vendet që formojnë Bashkimin Europian miratuan më herët gjatë muajit ndryshimet e paralajmëruara nga Franca dhe Gjermania për t`i bërë ballë krizës së borxhit.
Kryeministri Cameron ishte i vetmi që vendosi kushte për një votë pro dhe pasi kërkesat e tij nuk u aprovuan, vendosi veton e tij kundër traktatit pasi sipas tij binte ndesh me interesat ekonomike të Britanisë së Madhe.