E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania: Dosjet e sigurimsave duhet të hapen, Klosi: VIP-at i zhdukën në Kërrabë

 

Dosje të personazheve të rëndësishëm janë “asgjësuar” gjatë trazirave të vitit 1997. Këtë e bëri të ditur dje ish-drejtori i Shërbimit Informativ Kombëtar në periudhën 1997-2002, Fatos Klosi. Duke folur në konferencën me temë “Kapërcimi i së kaluarës, zgjidhja e çështjes së dosjeve të sigurimit të shtetit në Gjermani dhe Shqipëri”, Klosi tha se pas ndarjes së SHIK-ut nga Ministria e Brendshme, shërbimi mori një pjesë të arkivit. “Në fazën e parë pas ndarjes, SHIK nuk kishte ambiente për arkivin dhe e la atë atje ku kish qenë, te depot e thesarit në Kërrabë, te shkolla e qenve dhe në ministri. Kur SHIK-u mori godinat e reja, e mblodhi pjesën e tij të arkivit tek Arkiva e Re, pranë godinave të tij. Gjatë trazirave të vitit 1997, të dy arkivat në Kërrabë dhe te shkolla e qenve u plaçkitën, prandaj kurrkush nuk mund të thotë se çfarë mori vetë SHIK-u nga arkivat e sigurimit”, theksoi Klosi. Sipas tij “nga ana tjetër, unë kam pasur disa raste që ish-oficerë të sigurimit më kanë folur për dosje të rëndësishme që i kanë hapur apo mbajtur ata dhe që nuk gjendeshin në arkivin, që ne trashëguam në vitin 1997. Kjo na krijon opinionin se deri në atë kohë, dosjet ishin seleksionuar dhe disa dosje personazhesh të rëndësishme, subjekte apo bashkëpunëtorë, ishin asgjësuar. Si shembull mund të sjell dosjen e drejtimit jugosllav, e cila ishte cunguar dhe materialet mungonin. Me pak fjalë, duke pasur parasysh gjithë këto peripeci të arkivave të sigurimit, duhet të pranojmë që materialet e sigurimit në arkivat e SHIK-ut, nuk janë të plota. Tani në to, pjesa më e sigurt është regjistri i bashkëpunëtorëve dhe një pjesë e kartelave të tyre”. Duke folur për mënyrën se si ishte i organizuar Sigurimi i Shtetit, Klosi tha se baza e tij ishin oficeri i shërbimit (punëtori operativ) dhe bashkëpunëtori. Dosja kryesore ishte ajo e aktivitetit armiqësor që në bazë të Kodit Penal ishte e dënueshme, si dhe dosja e drejtimit që përfshin problemet në bazë rrethi apo vendi. Sipas tij, para se të përfshiheshin në aktivitetin e një shërbimi, bashkëpunëtorët studioheshin për të konkluduar në se janë të përshtatshëm për detyrat që do të kryejnë. Për këtë hapet një dosje studimore personale e bashkëpunëtorit. “Më pas, në këtë dosje pasqyrohen vetëm vlerësimet lidhur me punën e tij. Së bashku me dosjen personale hapet dhe një kartelë ku shkruhen shumë pak të dhëna kryesore për të, si emri, pseudonimi, lidhjet shoqërore, motivet e tërheqjes në bashkëpunim dhe prapa saj shënohen oficerët që e kanë mbajtur në lidhje”, shpjegon më tej Klosi. Një kategori tjetër dosjesh është ajo e punës së bashkëpunëtorit, ku pasqyrohen të gjitha detyrat që i janë dhënë, vija e sjelljes dhe përgjigjet e dhëna prej tij për këto detyra. “Dihet se numrin më të madh të subjekteve të Sigurimit e përbënin ata që lidheshin me dy figura krimi: agjitacion-propagandë dhe tentativë arratisje. Këta subjekte jetonin kryesisht në ato shtresa shoqërore që quheshin kontingjente, që ishin të persekutuarit nga diktatura, të pakënaqurit, keqbërësit e dënuar etj. Kuptohet se për ti ndjekur nga afër subjektet, edhe bashkëpunëtorët do të zgjidheshin kryesisht nga këto shtresa dhe kur nuk donin të bashkëpunonin, detyroheshin”, theksoi më tej Klosi. Duke folur për ligjin e miratuar në vitin 1995, Klosi tha se ligji penalizonte, duke mos u lejuar të merrnin detyra në administratën shtetërore, përveç bashkëpunëtorëve edhe oficerët e sigurimit dhe funksionarë të lartë të partisë dhe shtetit diktatorial. Por disa prej të penalizuarve që iu ndalua e drejta për të kandiduar në zgjedhjet e vitit 1996 u ankuan në gjykatë dhe fituan çështjen, çka sipas Klosit dëshmoi se ligji kishte kontradikta të brendshme. Sipas ish-shefit të SHIK-ut, vetëm 14 % e dosjeve u iniciuan nga sigurimi i shtetit. “Në vend të një projektligji mbi pastërtinë e figurave, duhet të kërkohet një pr.ligj për eksesin e publikut në arkivat e regjimit totalitar komunist”, theksoi më tej Klosi.       a.sh

“Klosi shkarkoi 80% të stafit kur mori postin”

Ish-punonjësi i SHIK në vitet 1992-1997, Astrit Kodra, akuzoi dje ish-shefin e këtij institucioni, Fatos Klosin, se shkarkoi 80 për qind të punonjësve dhe riktheu në punë ish-sigurimsat. “Zoti Klosi nuk duhet të ishte në këtë tryezë sot. Të më falni zoti Klosi. Ai është i pabesueshëm në ato që thotë. Klosi erdhi në këtë post nga politika. Sapo erdhi në krye të SHIK-ut, Klosi hoqi nga puna 80 për qind të punonjësve dhe solli në punë ish- sigurimsat e kohës së diktaturës, ndërkohë që rikthimi i tyre në punë ishte i ndaluar me ligj. Gjithashtu mund të them që nuk kanë qenë 3000 punonjës të sigurimit por rreth 120 mijë. Nga gjithë kjo plejadë e sigurimsave, nuk kemi parë që të dënohet asnjë”, u shpreh ish-punonjësi i SHIK-ut. Ndërkohë, pas komentit të tij, moderatorja gjermane, gazetarja Patricia Schafer, i dha fjalën ish-shefit të SHIK për të replikuar, por ky i fundit nuk pranoi.

Batutat Klosi-Allçi

Në konferencën e djeshme nuk kanë munguar as replikat mes ish-shefit të SHIK-ut, Fatos Klosi e njërit prej përfaqësuesve të shoqatës së ish-të dënuarve politikë, Adem Allci. 
Fatos Klosi: Sot që diskutohet, janë marrë disa iniciativa dhe janë në diskutim disa pr.ligje për t’u kthyer sërish te penalizmi i funksionarëve të shtetit komunist, deri te bashkëpunëtorët e sigurimit. Ju lutem mund të mbani pak qetësi deri sa të mbaroj.
Adem Allci: Çfarë qetësie të mbajmë, ke 10 minuta që po flet, nuk do flasësh gjithë ditën.
Fatos Klosi: Këtu nuk jemi në parlament.
Adem Allçi: Çfarë parlamenti mo, ne jemi më lart se parlamenti.
Fatos Klosi: Ky është mendimi juaj, unë nuk kam këtë mendim.
Adem Allçi: Nuk do flasësh vetëm ti. Mbaro.
Patricia Schafer (moderatorja): Ju lutem mos flisni nga vendi. Do ketë diskutime.
Gjatë diskutimeve
Adem Allci: I bëj thirrje Klosit të kërkojë dënimin e krimeve të komunizmit. 26 deputetë u vranë në atë kohë. Vetëm Gjykata e Hagës u vjen hakës. Klosi uli sytë. Kanë vjedhur floririn e Kërrabës. Ne kërkojmë integrimin e të dënuarve, këta kanë çuar fëmijët në shkolla në Amerikë.

Borchardt: Modeli ynë, për t’u diskutuar

Ambasadori gjerman në Tiranë tha dje se vendi i tij ofron një model për hapjen e dosjeve, por kurrsesi ai nuk mund të merret si shembull. Sipas Borchardt, çdo vend është sovran dhe mund të zgjedhë vetë mënyrën se si do t’i hapë dosjet. “Çdo shoqëri vendos vetë për t’u marrë me të shkuarën e saj. Kjo është e drejtë sovrane. Gjermania nuk mund të merret si shembull. Por ne kemi mundësi dhe dëshirojmë që modelin tonë ta shtrojmë për diskutim, duke menduar se ndoshta kështu mund të japim kontributin tonë në një frymë partneriteti për t’i dhënë jetë këtij diskutimi në Shqipëri”, tha në konferencën e djeshme të organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”, ambasadori gjerman. Duke iu referuar modelit gjerman, Borchardt tha se, “përgjithësisht ligji dhe autoriteti i ngritur në mbështetje të tij kanë dhënë një kontribut tepër vendimtar për trajtimin shoqëror të këtij kapitulli të historisë gjermane. Vendimtare këtu ka qenë në një masë të lartë besueshmëria në popull që gëzonin drejtuesit respektivë të këtij autoriteti të ngritur për trajtimin e dosjeve të Stasi-t”.

“Si i hapëm 112 km dosje të policisë sekrete të STAS-it”

ADI SHKEMBI

Gjermania sjell në Shqipëri modelin e saj të hapjes së dosjeve të sigurimit. Në një konferencë të organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”, e ngarkuara federale për dosjet e sigurimit të shtetit të ish-republikës demokratike të Gjermanisë, Marianne Birthler, ka prezantuar para përfaqësuesve të klasës politike, por edhe ish të përndjekurve dhe të dënuarve të sistemit komunist, modelin me të cilin u operua për hapjen e dosjeve të Stas-it, policisë sekrete të Gjermanisë Lindore.  Sipas saj, ky proces është iniciuar pikërisht nga qytetarët e Gjermanisë Lindore, të cilët menjëherë pas rënies së murit të Berlinit kërkuan hapjen e arkivave. “Ne u munduam të ruanim dosjet. Dhoma e Deputetëve në vitin 1990 vendosi hapjen e tyre. Parlamenti miratoi ligjin me të cilin punohet edhe sot. Njerëzit, të cilët ishin përndjekur e persekutuar kishin të drejtë të shikonin dosjet e tyre. Në ligj duhej krijuar siguria që dosjet të mos keqpërdoreshin. Ne kemi një ligj që të hapen dosjet, por edhe të mbrojmë njerëzit nga përdorimi i tyre”, tregon Birthler. Duke e përkthyer të gjithë këtë proces në shifra, ajo thotë se nëse të gjitha dosjet e Stas-it do të shtroheshin në rrugë, ato do të zinin 112 km, ndërkohë që ka thasë të tërë me materiale të prishura nga Stas-i. “Unë ju thashë që në epiqendër është ajo që njerëzit, të cilët dëshirojnë, kanë të drejtë të shohin dosjen e tyre. Sigurisht që ka pasur politikanë që na thoshin nuk lejohet ta bëni këtë, sepse në qoftë se njerëzit do i lexojnë kush i ka tradhtuar, atëherë do të kemi hakmarrje, do të kemi vrasje dhe grindje. Por ne e shohim sot se nuk ka ndodhur asgjë nga këto”, tregon më tej Birthler. Për të provuar interesimin e lartë të gjermanëve për të parë dosjet, ajo tregon se vetëm në vitin 2007 ka pasur 100 mijë kërkesa të tilla. E ngarkuara federale për dosjet e sigurimit tregon se ky proces shërben edhe për punëdhë-nësit, të cilët duan të dinë nëse punëmarrësit e tyre kanë pasur një të shkuar të përbashkët me policinë sekrete të Gjermanisë Lindore. Në fillim të viteve ‘90, sipas Birthler, pati një kërkesë nga shumë prindër që fëmijët e tyre të mos merrnin mësim nga arsimtarë, të cilët kanë bashkëpunuar më parë me shërbimin sekret. “U bë verifikimi dhe thuajse gjysma e tyre u pushua nga puna, por kishte edhe arsimtarë që kishin dosje, por nuk ishin marrë me spiunazh”, tregon më tej Birthler. Thirrjeve të vazhdueshme të konferencës së djeshme nga ana e të përndjekurve politikë për hapje dosjesh, Birthler tha se kjo tregon se në Shqipëri ka njerëz që ende nuk e kanë provuar sensin se në vend mund të funksionojë drejtësia. Por ajo tha se edhe në Gjermani ka dosje ende të pahapura, oficerë të Stas-it që marrin pensione të majme dhe ish të persekutuar që ende nuk janë dëmshpërblyer.
Dosjet e Stas-it
Çdo person ka të drejtë të kërkojë informacionin që ruhet në dosjet e Stas-it. Këtë të drejtë e kanë dhe pjesëtarët e familjeve të qytetarëve të Gjermanisë Lindore, të cilët nuk jetojnë më. Për të parë dosjen duhet të bëhet një kërkesë në institucionin përkatës. Një formular kërkese mund të nxirret nga faqja e internetit, por mund të gjenden edhe në zyrat qendrore ose degët e saj. Njoftimi paraprak nëse Stas-i ka spiunuar personin që bën kërkesën, zgjat 4 deri në 12 vjet. Institucioni e fshin informacionin për viktimat e treta të spiunimit para se të lëshojë dosjen. Emrat dhe pseudonimet e bashkëpunëtorëve kryesorë dhe jozyrtarë të Stas-it bëhen të ditura. Institucioni ruan në arshivat e tij dokumentet e Ministrisë për Sigurimin e Shtetit në Republikën Demokratike të Gjermanisë dhe i vë ato në dispozicion për qëllime të ndryshme, sipas rregullave ligjore të rrepta personave privatë, institucioneve dhe publikut. Institucioni nuk lejon vetëm shikimin e dosjeve, por bën edhe kërkime për historinë e Ministrisë së Sigurimit të Shtetit. Drejtuesi i këtij institucioni është i pavarur në ushtrimin e detyrës. Që nga viti 1991 ka pasur të paktën 6 milionë kërkesa për të parë dosjet. Gjithashtu nga kjo periudhë ka pasur 1.7 milionë kërkesa për verifikimin e bashkëpunëtorëve të shërbimit publik.

“Dosjen të jenë të hapura për të gjithë”

Marianne Birthler, e ngarkuara federale për dosjet e sigurimit të shtetit të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë, flet për këtë proces edhe në Shqipëri. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ajo thotë se Shqipëria është vonë për hapjen e dosjeve, por shton se ky proces është vonuar edhe në vendet e tjera të Evropës Lindore. Sipas saj, procesi i hapjes së dosjeve është shumë i rëndësishëm për viktimat e sigurimit të shtetit. E pyetur nëse duhet të ketë hapje të të gjitha dosjeve, apo për figurat publike, Birthler thotë se, “dosjet për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit duhet të jenë të mundura për të gjithë, edhe për përpunimin e historisë”.
Shqipëria ka pasur një ligj të hapjes së dosjeve në vitin 1995, që përfundoi së ekzistuari në vitin 2001. Ndërkohë këtë vit është rikthyer debati i hapjes së dosjeve. A është Shqipëria vonë në këtë proces?
Unë mendoj se nuk mund të thuhet se është shumë vonë. Është vonë, por jo shumë vonë. Mund të thuhet se ky proces në pjesën më të madhe të vendeve me diktaturë ka ndodhur në përgjithësi vonë. Në Gjermani procesi i hapjes së dosjeve nuk ka qenë thjesht një proces lustrimi. Procesi i hapjes së dosjeve ka qenë shumë i rëndësishëm për viktimat e ish-sigurimit të shtetit. Pra, këta njerëz duhet të kenë akses në dosjet e tyre, por njëkohësisht duhet të krijohet akses edhe për shkencëtarët, për gazetarët, nëse ata duan të kenë më tepër informacion.
A duhet të hapen të gjitha dosjet, apo duhet të kufizohet ky proces vetëm te personat publikë?
Në qoftë se ka pasur njerëz të cilët janë mbajtur nën vëzhgim, atëherë duhet të merret edhe mirëkuptimi i këtyre njerëzve për të hapur dosjet. Por dosjet për ish-bashkëpunëtorët e sigurimit duhet të jenë të mundura për të gjithë, edhe për përpunimin e historisë.                                a.sh

Lubonja: Prokurori që dekoroi Topi, në gjyqin tim

Analisti i njohur Fatos Lubonja, tha në konferencën e djeshme për zgjidhjen e çështjes së dosjeve, se megjithëse është folur shumë për këtë temë, ende nuk ka të dhëna zyrtare se sa dosje janë zhdukur. “Më shqetëson fakti se nëse do të kishte diçka konkrete, si ka mundësi që flitet kaq shumë për zhdukjen e dosjeve dhe nuk del një autoritet që të verifikojë se sa dosje janë zhdukur, sa janë. Askush nuk e di kush i ka zhdukur”, theksoi Lubonja. Një problem tjetër, sipas tij, është ngritja e një autoriteti të besueshëm, që do të marrë në dorë këtë proces. Sipas analistit, i cili ka qenë një ndër vuajtësit e regjimit të kaluar, një gjë e tillë duket e pamundur. “A jemi ne në gjendje të nxjerrim një autoritet të paanshëm që mund ta bëjë këtë punë? Dyshoj që jo. Edhe rasti i prokurorit të Përgjithshëm, ku para pak muajsh shkarkuam ish-kryeprokurorin dhe vumë një të ri dhe tani e akuzojmë për mbajtje ane, tregon një gjë të tillë”, shtoi më tej Lubonja. Sipas tij, “s’kam parë një iniciativë parlamentare për gjetjen e varreve të të zhdukurve. Para pak kohësh një prokuror i kohës së regjimit, që është edhe i gjyqit tim u dekorua nga presidenti për kontribut në drejtësi”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›