Ndëshkim 12 gjyqtarëve, tre prej tyre liruan Delijorgjin
Fatos Mahmutaj
Nis procedimi disiplinor për 12 gjykatës. Këshilli i Lartë i Drejtësisë pohoi dje se ka vendosur në rendin e ditës të mbledhjeve të ardhshme të tij, veç tjerash edhe procedimin disiplinor për 12 toga të zeza, Gjykatës të Shkallës së Parë e të Dytë, të cilët janë gjetur me shkelje nga inspektorati. Në mbledhjen e radhës së KLD-së, e cila pritet të zhvillohet në ambientet e Gjykatës së Dibrës, është përcaktuar të shqyrtohen procedimet disiplinore për gjykatësin e Burrelit, Murat Lleshi, dhe ish-gjykatësen e Vlorës, Mirela Mishgjoni. Ndërsa më pas pritet të procedohet edhe Rasim Doda, kryetar i Gjykatës së Sarandës; Gjin Gjoni gjykatës në kryeqytet; Nevrie Halo, gjykatëse në Vlorë; Enkelejda Kashuri, gjykatëse në Krujë; Taulant Tafa, gjykatës në Elbasan; Shaqir Gradica, Ylli Minka e Naum Pejo, gjykatës të Apelit Ushtarak, të cilët i dhanë pafajësi Delijorgjit më 27 dhjetor 2007, të komanduar në Apelin e Durrësit; Alaudin Malaj, aktualisht gjykatës në Apelin e kryeqytetit dhe Meme Rexho gjyqtare e Apelit të Vlorës. Të dy këta gjykatës janë gjetur prej inspektoratit të ministrisë me shkelje që kanë kryer në Apelin e Vlorës për disa çështje të gjykuara në vitin 2005. Emrat e tyre janë dërguar në KLD në fund të vitit të kaluar, kur nisi shqyrtimi i procedimit disiplinor për ish-kryetaren Gjinovefa Gaba dhe dy gjykatës të tjerë, të cilët janë shkarkuar që në fillim të 2008-ës. Nëpërmjet një deklarate për shtyp paraditen e djeshme, KLD pohoi se ka evidentuar në mbledhjen e tij të fundit, rëndësinë për të shqyrtuar brenda parametrave optimalë kohorë, procedimet disiplinore të iniciuara me kërkesë të Ministrit të Drejtësisë mbi bazën e inspektimeve të kryera nga inspektorët e Këshillit dhe Ministrisë. "KLD garanton zhvillimin e proceseve të rregullta dhe transparente në procedimet në vazhdimësi, lidhur me 12 gjyqtarë konkretisht pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Mat, Sarandë, Tiranë, Elbasan si edhe të Gjykatave së Apelit Tiranë, Vlorë si dhe të Apelit Ushtarak, për të cilët janë depozituar kërkesat për procedim pranë këtij Këshilli", pohoi dje Ana Shkëmbi, Drejtoresha Juridike e Këshillit. Më tej Drejtoresha Juridike e KLD-së, pasi bëri të ditur faktin që mbledhja e radhës së këtij institucioni do të zhvillohej në Dibër, tha se: "Në ndërmarrjen e kësaj nisme, këshilli, konfirmon se politikat e veprimtarisë të organeve publike, nuk lidhen me vendndodhjen e strukturave të drejtimit, por me vullnetin e mirë, për dhënien e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit, përpara të cilit, të gjithë dhe kudo, janë të barabartë". Duke pohuar se iniciativa e KLD-së nën kryesimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, për të zhvilluar mbledhjen e 24 tetorit në Peshkopi synon të shtrihet në të ardhmen, në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë.
Procedimet
Murat Lleshi, Gjykata Mat
Mirela Mishgjoni, Gjykata Vlorë.
Gjin Gjoni, Gjykata Tiranë
Nevrie Halo, Gjykata Vlorë
Enkelejda Kashuri, Gjykata Krujë
Taulant Tafa, Gjykata Elbasan
Shaqir Gradica, Apeli Ushtarak
Ylli Minka, Apeli Ushtarak
Naum Pejo, Apeli Ushtarak
Alaudin Malaj, Apeli Tiranë
Meme Rexho, Apeli Vlorë
KLD fut në rendin e ditës gjykatësit e Delijorgjit
TIRANE - Shaqir Gradica, Ylli Minka dhe Naum Pejo, tre gjykatësit e Apelit Ushtarak, të cilët firmosën pafajësinë e Mihal Delijorgjit, më 27 dhjetor 2007. Vetëm pak minuta para se ai të nënshkruante kontratën që shkaktoi tragjedinë e Gërdecit, do procedohen për shkarkim nga KLD-ja. Shqyrtimi i kërkesave të Ministrit Enkelejd Alibeaj për shkarkimin e tyre pritet të jenë rendi i ditës i mbledhjeve të ardhshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Sipas inspektoratit, tre gjykatësit e deleguar në Durrës, i kanë dhënë dorën e fundit pafajësisë së Mihal Delijorgjit, duke i hequr dënimin me gjobë, ndërsa Gjykata e Durrësit i kishte hequr më parë dënimin me burg. Vetëm pak minuta pas pastrimit të dëshmisë së penalitetit, Delijorgjit iu hap rruga për të nënshkruar në Ministrinë e Mbrojtjes kontratën e majme të demontimit të predhave në Gërdec. f.m.
Gjin Gjoni
Gjykatësi kryeqytetas Gjin Gjoni pohoi dje se nuk ishte njoftuar nga KLD-ja për procedimin disiplinor. Sipas tij, kjo ishte një show mediatik dhe qëndrim aspak ligjor, pasi KLD-ja duhet ta njoftonte atë nëse ishte kërkuar procedim nga ministria, në mënyrë që të paraqiste observacionet. Gjoni pohoi se disa vite më parë inspektorati i ministrisë kishte pretenduar se ky kishte kryer shkelje në dy dosje të gjykuara në vitin 2002 dhe 2003, dhe nëse procedimi do të kishte këtë objekt atëherë ishte parashkruar.
Rasim Doda
Kryetari i Gjykatës së Sarandës, Rasim Doda është dërguar nga Ministri i Drejtësisë për procedim disiplinor. Emri i Dodës është përfolur për të njëjtën gjë edhe disa vite më parë dhe mendohet se ndoshta do të jetë i njëjti procedim, i cili mund të ketë humbur efektin pasi është parashkruar. Ligjërisht procedime disiplinore për gjykatësit mund të kërkohen brenda tre vitesh nga koha kur e kanë kryer shkeljen, ndërsa pas kësaj kohe kërkesa për procedim e humb efektin, pasi shkelja e gjetur parashkrohet.