E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania: Integriteti i Kosovës nuk diskutohet

Deklarata
Flet zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Andreas Peschke

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane apelon tek Serbia për më shumë pragmatizëm, në lidhje me Kosovën dhe tek Kosova për më shumë shpejtësi në reforma. Në një intervistë për radion “Dojçe Vele”, Peschke tha se “bilanci për këto dy vjet është pozitiv. Kosova është njohur tashmë prej 65 vendesh, 22 prej të cilave janë anëtare të BE-së. Në vitin 2009, ajo u bë anëtare e FMN-së dhe e Bankës Botërore, çka bën të mundur për të një përfaqësim edhe në parketin ndërkombëtar. Pjesëmarrja e serbëve të Jugut në zgjedhjet komunale ishte relativisht e lartë. Nëse dikush do ta kishte parashikuar një zhvillim të tillë dy vjet më parë, atë do ta kishin quajtur një ëndërrimtar naiv”. Sa i përket përçarjes që ende ekziston në gjirin e Bashkimit Europian në lidhje me Kosovën, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane thotë se problemet ekzistojnë por “EULEX-i, vepron tani në të gjithë Kosovën”. Peschke vë theksin te padiskutueshmëria e integritetit të Kosovës. “Për qeverinë gjermane është shumë e qartë: Integriteti i Kosovës nuk vihet në diskutim. Veriu i Kosovës është pjesë e Kosovës. Ata që kanë një qëndrim tjetër, përpiqemi t'i bindim që Kosova tashmë ka zënë vend në bashkësinë e popujve dhe se ne e mbështesim atë që të luajë rolin e duhur në nivel rajonal dhe ndërkombëtar”, tha ai. Peschke shtoi se qeveria gjermane do të vazhdojë të ketë një angazhim të fortë në Kosovë, edhe në terma financiarë. Në fund të intervistës për “Dojçe Vele”, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane thotë se procesi i kthimit në vendin e origjinës të emigrantëve nga Kosova nuk është kompetencë e diplomacisë. “Kjo është një kompetencë e drejtësisë dhe organeve të rendit...”, tha ai, ndërsa sqaroi se Ministria e Jashtme vetëm raporton për situatën ashtu siç është. “Gjendja ekonomike në Kosovë nuk është e kënaqshme për një pjesë të madhe të popullsisë, këtu hyjnë edhe pakicat. Por ajo për të cilën raportojmë ne janë represione nga ana e shtetit ose të organizatave të ndryshme. Për këto nuk ka të dhëna. Vendimin për kthimin ose jo të ish-refugjatëve e marrin organet e brendshme”, tha Peschke.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›