E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Të amnistohen edhe paratë e individëve

Shoqata kërkon trajtim të barabartë ligjor të kompanive dhe qytetarëve

Shoqata e Konfindustrisë përshëndeti dje deklaratën e ministrit të Financave mbi amnistinë fiskale, por sugjeroi se një masë e tillë lehtësimi ligjor duhet të zbatohet jo vetëm për kompanitë, por edhe për individët.
“Konfindustria, duke shprehur kënaqësinë e pranimit në parim të hapjes së debatit për amnistinë fiskale nga qeveria shqiptare nëpërmjet shprehjes publike nga ministri i Financave, z. Ridvan Bode, njëkohësisht shprehet kundër kufizimit të amnistisë vetëm ndaj bizneseve dhe lënien jashtë të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku.
“Konfindustria shpreson se përqendrimi i sqarimit publik të ministrit të Financave në parashikimin e amnistisë fiskale vetëm për kategorinë ‘biznese’ dhe duke mos përmendur përfshirjen në procesin e sipërpërmendur edhe të ‘qytetarëve’ shqiptarë, ishte vetëm një harresë e ndodhur për shkaqe kohore dhe nuk paraqet qëndrim të paracaktuar të ekzekutivit”, vijon më tej deklarata.
Duhet të kuptojmë se qytetarët shqiptarë janë pikërisht kategoria që për vite me radhë nuk u është dhënë mundësia e deklarimit ligjor të të ardhurave të tyre, sikurse ndodh në të gjitha vendet demokratike të rajonit dhe BE-së, ndërkohë që bizneset sidoqoftë e kanë pasur me kohë një mundësi të tillë. Duke shtuar këtu dhe faktin se qëllimi përfundimtar i kryerjes së amnistisë fiskale të vërtetë është hyrja e sa më shumë të ardhurave në sistem, do të ishte krejtësisht i papranueshëm përjashtimi i kategorisë së shtresës më të gjerë të zotëruesve të kapitaleve "qytetarëve", që mund të formalizohen, thotë deklarata.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›