E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania: Ndihma për Greqinë, nuk ka ende vendim as angazhim

BERLIN- Gjermania u shpreh e rezervuar sot lidhur me një plan ndihme të evropianëve për Greqinë, duke theksuar se nuk ende asnjë angazhim as vendim.

"Tani për tani nuk ka as angazhime, ato janë vetëm opinione",- deklaroi zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Seibert, gjatë një konference të zakonshme shtypi.

"Pagesat e gjermanëve duhet të vendosen nga autoritetet gjermane dhe kështu ndodh në të gjitha vendet",- deklaroi ai.

Kryeministri i Luksemburgut, Jean-Claude Juncker, u shpreh të premten se pret që :- "një financim shtesë t'i jepet Greqisë, në këmbim të kushteve rigoroze".

Kjo deklaratë është interpretuar si një angazhim i evropianëve për të mbështetur edhe një herë Athinën.

Por, Berlini, që ngurroi vitin e kaluar të merrte pjesë në planin e parë të ndihmës për Greqinë, nuk pranon të flitet për një gjest tjetër për sa kohë nuk ka dhënë konkluzionet një mision ekspertësh të Bankës Qendrore Evropiane, të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Komisionit Evropian.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›