E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri i Brendshëm italian: “Task-force” për trukimet

ITALI- Skandali i basteve që ka tronditur këto ditë futbollin italian, ka bërë që ministri i brendshëm i Italisë Roberto Maroni, të kërkojë trupa speciale të luftuar fenomenin e manipulimit të ndeshjeve dhe të basteve klandestine. “I kam dhënë direktivë shefit të Policisë, që të ndërtojë një strukturë hetuese task-force mbi këtë fenomen si edhe për të ndaluar manipulimet në ndeshjet sportive, - deklaroi Maroni, i intervistuar ditën e sotme nga Gazzetta dello Sport. – Manganeli ka nisur punën për këtë”, shtoi ai. Ministri më pas ka shpjeguar masat që ka ndërmend të adoptojë, pas skandalit që ka goditur botën e futbollit si rrjedhim i hetimit të nisur nga Prokuroria e Kremonës. “Manganeli u ka kërkuar shërbimeve speciale si SCO, ROS dhe GICO, një lidhje për përfshirjen e mafies në sektorin e futbollit të trukuar dhe të botës së basteve, - u shpreh më tej ministri italian i punëve të brendshme. – Duam të gjejmë format më të mira për të parandaluar shtrirjen e basteve klandestine në ndeshjet e futbollit. Duhen iniciativa, sepse dhunimi i ligjeve penale përfshin edhe çështjen e sigurisë. Parashikimi më pas, ka shumë rëndësi. Futbollistët kampionë janë idhuj për të rinjtë, duhet të kenë vlera etike të mëdha”, shtoi ai. Roberto Maroni, përveçse ministër i brendshëm, është edhe një tifoz futbolli. “Unë e dua futbollin, - thotë ai. – Si mund ta pranojmë një situatë të tillë? Për mua, Sinjori dhe Doni janë flamuj. Vazhdoj të shpresoj që ata të mos kenë lidhje me krijimin e një organizate kriminale për bastet, në të kundërt do të ishte një zhgënjim i jashtëzakonshëm”. Në lidhje me apelin e bërë nga Federata dhe Komiteti Olimpik, ministri shprehet: “Jo vetëm jam dakord, por e mbështes. Sepse vetëm kështu, duke punuar të gjithë së bashku, mund të gjejmë një zgjidhje”. Xhani Petruci, kreu i Komitetit Olimpik Italian, deklaroi ka kërkuar më shumë etikë nga ana e drejtuesve sportivë. “U kërkoj njerëzve të sportit italian dhe botës së futbollit, që të mos flasin vetëm për para. Ky është problemi, pasi skandali me të cilin po përballemi është i lidhur me një aktivitet kriminal, me botën e krimit”, deklaroi Petruci. Ndërkohë, një reagim ka patur edhe nga klubi i Romës, pasi ajo është përfolur për disa ndeshje të dyshuara, në lidhje me hetimin e nisur nga Prokuroria e Kremonës. “Roma është një klub serioz dhe i pastër, - deklaroi Rosela Sensi në një komunikatë për mediat. – U kërkoj hetuesve të bëjnë punën e tyre, por mediave u kërkoj që të mos e marrin gjithçka të mirëqenë”, shtoi ajo.
Skandali i basteve në futbollin italian u zbulua një javë më parë, pas publikimit të përgjimeve nga Prokuroria e Kremonës, mbi ndeshjet e kampionatit italian. 16 persona, mes të cilëve një shqiptar (Ismet Mehmeti) u arrestuan për këtë ngjarje që ka tronditur Italinë.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›