Gjermania: Opozita e domosdoshme për integrimin në Kuvend
Nuk ka integrim pa pjesëmarrjen e opozitës në Parlament. Ky ka qenë qëndrimi i deputetes së Bundestagut, Margrit Vetzel pas takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Ne kërkojmë që të qëndrojmë larg debateve të brendshme të një vendi në lidhje më pjesëmarrjen e opozitës në Parlament. Ne nuk kemi qenë në momentet e caktuara të këtij debati dhe kërkojmë të mbetemi jashtë politikave vlerësuese mbi të. Sigurisht që pjesëmarrja e opozitës në Parlament është tejet e rëndësishme në mënyrë që të merren vendime për të ardhmen e vendit. Unë doja të theksoja faktin që pjesëmarrja e opozitës apo mbledhja e Parlamentit në numrin e tij të plotë, është vërtet tejet e rëndësishme. Fakti që Progres Raporti i publikuar së fundi kërkon realizimin e reformave të rëndësishme për vendin, e bëjnë të domosdoshme mbledhjen e Parlamentit në numrin e tij sa më të plotë”, u shpreh deputetja gjermane. Në lidhje me aplikimin e statusit në BE, deputetja e Parlamentit gjerman, Vetzel theksoi se: “Unë mendoj se është në dorën e gjithsecilit prej vendeve të vlerësojnë momentin, se kur duhet të bëjë kërkesën e tij për anëtar të BE. Mendoj se Shqipëria deri sa të pranohet anëtare e BE, duhet të ecë dhe të bëjë progrese të caktuara. Mendoj që është në rrugën e duhur për këtë. Ne e respektojmë kërkesën e Shqipërisë dhe e mbështesim në rrugën drejt integrimit”.