E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania: Serbia në BE në 2017-ën



Serbia mund të bëhet anëtare e BE-së në fund të vitit 2017 ose në vitin 2018, nëse të gjitha veprimet do të shkojnë në drejtim të duhur, dhe nëse deri në atë kohë, Beogradi do të arrijë t'i rregullojë marrëdhëniet me Kosovën. Një deklaratë e tillë është dhënë nga një diplomat gjerman, që citohet nga agjencia e lajmeve Beta. Përfaqësuesi i shtetit gjerman, që ka preferuar të mbetet anonim, ka takuar gazetarët në Beograd, në një takim të organizuar nga fondacioni Konrad Adenauer. Diplomati gjerman ka shpjeguar procedurat e anëtarësimit të Serbisë në BE, duke shtuar se krahas tyre, Serbia duhet të punojë në zgjidhjen e problemit të Kosovës, dhe në rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella. Diplomati gjerman ka thënë se, nëse Serbia vazhdon të përsërisë se Kosova është pjesë e saj, atëherë ajo nuk do ta gëzojë mbështetjen e shteteve të BE-së për anëtarësimin e saj në këtë union, përfshirë këtu edhe Gjermaninë. "është gjë e gabuar kur politikanët serbë mendojnë se hyrja në BE dhe çështja e Kosovës nuk kanë lidhje me njëra tjetrën. Këtë porosi do t'ia përcjellim edhe presidentit Tadic, së shpejti, gjatë vizitës së tij në Gjermani", ka thënë zyrtari gjerman. Sipas tij Kosova po i shkakton shumë kokëçarje Bashkimit Europian, dhe ka vlerësuar se do të kalojë edhe shumë kohë derisa Kosova të bëhet shtet "në kuptimin e plotë të fjalës". Përsa i përket përfshirjes së Rusisë në këtë pjesë të Europës, diplomati gjerman ka thënë se Rusia ka para se gjithash interes ekonomik në Serbi - ndërsa i ka porositur politikanët serbë se nuk është mençuri të lidhen shumë me Rusinë, sepse sipas tij, mund të ndodhë që Rusia ta shfrytëzojë Serbinë si "lodër" për interesa vetjake - respektivisht si "armë" në lojën e fuqive të mëdha.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›