Takimi Obama-Dalai Lama, Pekini i pakënaqur
Kina ka dënuar ashpër faktin që Presidenti i SHBA-së Barack Obama është takuar me udhëheqësin shpirtëror të tibetianëve, Dalai Lamën. Biseda me liderin tibetian në Uashington, zhvilluar të enjten, ka cënuar rëndë normat e marrëdhënieve ndërkombëtare, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme në Pekin. Obama e priti Dalai Lamën në Shtëpinë e Bardhë dhe e siguroi atë për mbrojtjen e kulturës tibetiane dhe për respektimin e të drejtave të njeriut. Megjithatë lideri shpirtëror nuk është pritur në studion ovale të Shtëpisë së Bardhë. Ndërkaq Kina akuzon drejtpërsëdrejti presidentin amerikan Barack Obama për dëmtim të marrëdhënieve mes dy vendeve duke u takuar me Dalai Lamën. Pekini zyrtar shton se përket Uashingtonit të përmirësojë marrëdhëniet mes fuqive globale ekonomike, ndërkohë që nuk përmendi kërcënimet për hakmarrje. "Veprimi amerikan përbën ndërhyrje serioze në punët e brendshme të Kinës, ka goditur ndjenjat e popullit kinez dhe ka dëmtuar marrëdhëniet kino-amerikane. SHBA duhet të ndërmarrë hapa efektive për eliminimin e këtyre pasojave'', tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Ma Zhaoxu. Ndërkohë, autoritet kineze kanë thirrur ambasadorin amerikan në Pekin për t'i shprehur një protestë zyrtare pas takimit mes presidentit amerikan, Barak Obama dhe Dalai Lamës, shefi shpirtëror i budistëve tibetian. Ministria e jashtme kineze bëri të ditur se zëvendësministri kinez thirri ambasadorin amerikan për të dokumentuar atë që ministria e quajti një përfaqësim solemn rreth takimit të presidentit Obama. Takimi u zhvillua mes tensioneve në rritje mes Uashingtonit dhe Pekinit. Kina e konsideron Dalai Lamën separatist që kërkon pavarësinë e Tibetit. Dalai lama i cili në vitin 1999 ka marrë çmimin Nobel për paqe, është pritur nga të gjithë presidentët amerikanë që kanë drejtuar vendin që nga viti 1991. Takimi ndërmjet Lamas dhe Obamës zgjati një orë. Gjatë tij nuk u diskutua për politikë, por për paqe, për vlerat njerëzore dhe harmoni fetare, bëjnë të ditur mediat. Obama dhe Dalai Lama janë akorduar për rëndësinë e një raporti pozitiv dhe bashkëpunimi ndërmjet shba-së dhe kinës. Dalai Lama është takuar edhe me sekretaren amerikane të shtetit Hillary Clinton.