Gjermania e pret ‘Lirën’ për Evropian

Gjermania shpreson që Fatmire Bajramaj të riaftësohet me kohë, për të qenë e gatshme për Kampionatin evropian ‘Euro 2013’, që do të mbahet gjatë verës së vitit të ardhshëm. 24-vjeçarja pësoi një dëmtim në ligamentet e gjurit të dielën, në fitoren ndaj ish ekipit të saj, Turbine Potsdam, dhe mjekët kanë konstatuar se mund të mungojë deri në gjashtë muaj.
Kjo nënkupton se ajo do të mungojë deri në muajin prill ose maj, kurse Evropiani i femrave do të zhvillohet në muajin korrik. Futbollistja kosovare konsiderohet lojtare e rëndësishme e përfaqësueses gjermane, me të cilën fitoi gjithçka në të kaluarën. Njëjtë si përfaqësuesja, rikthimin e ‘Lirës’ po e pret me padurim edhe ekipi i saj, FFC Frankfurt.
“Lëndimi serioz i Fatmire Bajramajt është një lajm shokues për të dhe për të gjithë ne. Ne i urojmë ‘Lirës’ gjithë të mirat, shërim sa më të shpejtë dhe shpresojmë që ajo të rikthehet në fanellën e Frankfurtit më së largu në pranverën e vitit 2013”, ka thënë drejtori gjeneral i Frankfurtit, Siegfried Dietrich.