E Diel, 1 Nëntor 2026

Juve, një provë “zjarri” me Shaktjorin e Luçeskut

ROME-Pas triumfit në Itali, Juventusi kërkon të kthehet edhe në Evropë në vendin që meriton. Bardhezinjtë do të presin sot në mbrëmje në Juventus Stadium Shaktjorin e Donjeckut, një ekip jo shumë të madh në Evropë, por gjithnjë problematik për ekipet e mëdha. “Është ndoshta ndeshja më e rëndësishme e grupit, - thotë ndihmës trajneri bardhezi Masimo Karrera. – Shaktjori është një skuadër shumë teknike, e stërvitur nga një trajner që e njeh mirë futbollin italian. Nuk humbasin prej 25 ndeshjesh dhe na pret një 90 minutësh ku do të vuajmë. Duhet të luajmë si Juventusi, të sulmojmë kundërshtarin”, shtoi ai. Një konfirmim i qartë se në kampin e skuadrës kampione të Italisë nuk e kanë marrë aspak lehtë përballjen e sotme. Shaktjor Donjeck ka në përbërje të tij futbollistë të një niveli mjaft të lartë dhe të mirëpaguar, ndërsa kryeson grupin E, pas fitores së arritur ndaj danezëve të Nordsjaelland. “Për momentin nuk duhet të mendojmë për objektiva të mëdha, por të fitojmë këtë ndeshje”, u shpreh më tej Karrera. Për Xhorxhio Kielinin, ndeshja e parë në stadiumin e ri do të jetë një emocion i veçantë për të gjithë, për më tepër që Juventusi rikthehet në Champions pas disa sezonesh mungesë. “Në Londër përjetuam diçka që personalisht më mungonte. Të martën do të ndeshemi me një skuadër shumë të fortë dhe shumë të nënvlerësuar në Evropë, por jo nga ne. Jam shumë i bindur se në takime të tilla nuk duhet të gabosh përqasjen, por të jesh i gatshëm. Është bukur që tifozët të ëndërrojnë, por koha do të na thotë se deri ku do shkojmë”, deklaroi Kielini.
Shaktjor
Shaktjor Donjeck, përveçse një ekip mjaft i njohur i Lindjes, ka në krye të tij një trajner që e njeh mjaft mirë Italinë: Mirçea Luçesku! Rumuni e drejton prej vitesh këtë ekip, duke qenë shumë i suksesshëm, ndërsa ai pranon se bardhezinjtë janë një shkallë më lart. “Nëse Juvja nuk është mes më të mirave të Evropës në këto momente, është nga të parat për ato që i jep kombëtares, për lojën dhe për rezultatet. Unë e konsideroj të parën”, deklaroi trajneri i Shaktjorit, në konferencën e mbrëmshme për shtyp. Luçesku ka një futbollist shumë për zemër te Juventusi dhe ai është Andrea Pirlo. “Për atë që ka bërë, meriton Topin e Artë, por tek Juventusi është vetëm ai. Është një skuadër e mirëorganizuar, kanë punuar shumë mirë”, thotë ai. Sipas Luçeskut, Shaktjori i tij nuk duhet të luajë siç bëri Roma të shtunën. “U tregova lojtarëve të mi ndeshjen dhe u thashë: vetëm kështu nuk duhet të luajmë ndaj Juves. Roma la shumë hapësira dhe bardhezinjtë bënë ç’të donin. Me atë barazim ndaj Çelsit, the se Juvja është favorite për të fituar grupin. Ne do ta provojmë”, shton Luçesku.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›