Kosova ia pa sherrin Gjibraltarit
Për dallim prej Kosovës, UEFA ka lëshuar pe përballë Gjibraltarit. Në fakt, Komiteti Ekzekutiv i shtëpisë së futbollit evropian e ka pranuar si anëtar të përkohshëm këtë vend, të cilin me të drejta të plota pritet ta njohë gjatë vitit që po vjen.
Gjibraltari është një territor me rreth 28 mijë banorë, sovraniteti i të cilit kontestohet nga Spanja e Britania e Madhe. Çështja është se spanjollët insistojnë për ta marrë nën kontroll këtë territor, i cili para vitit 1713 u ka takuar britanikëve.
Andaj, për shkak të këtyre rrethanave, UEFA fillimisht e kishte refuzuar kërkesën për anëtarësim të Gjibraltarit. Por, më pas, ky vend iu kishte drejtuar Gjykatës së Arbitrazhit, e cila krejt në fund e kishte rekomanduar UEFA-n të lëshojë pe. Kështu, krejt në fund, kjo rezultoi me anëtarësim të Gjibraltarit në familjen evropiane të futbollit.
Për dallim prej Gjibraltarit, i cili nuk njihet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB), UEFA vazhdon të mbajë qëndrim shumë të ‘egër’ karshi Kosovës, me arsyetimin se shteti i ri nuk është anëtar i po asaj organizate.
Në fakt, shteti i ri ende nuk është njohur nga OKB-ja, e as nga pesë vende të Bashkimit Evropian, dhe kundërshtohet me të madhe nga Serbia.
Mirëpo, për dallim prej Gjibraltarit, Kosova i ka rreth 2 milionë banorë, mbi 90 njohje ndërkombëtare duke përfshirë vendet më të fuqishme të botës, e po ashtu pavarësia e saj e shpallur më 17 shkurt të vitit 2008 është vlerësuar legjitime nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Këto krahasime të çojnë në konkludim se Gjibraltari e arriti qëllimin falë Gjykatës së Arbitrazhit, në dyert e së cilës asnjëherë nuk trokiti Kosova, pavarësisht injorancës së madhe që po ia bën UEFA, e hiq lehtë nuk po e lë as FIFA – të cilat aq të ‘egra’ janë karshi vendit tonë, saqë as lojë miqësore nuk po e lënë të luajë, e për pranim të plotë as që bëhet fjalë.
“Kur Gjibraltari ka aplikuar në UEFA, statuti i UEFA-s nuk ka kërkuar të jetë anëtar i OKB-së. Për të mos e lejuar Gjibraltarin të inkuadrohet, me insistimin e Spanjës, statuti i UEFA-s e ka pësuar një ndryshim, duke kërkuar njohje nga OKB-ja. Pas kësaj, Gjibraltari i drejtohet Gjykatës, e cila i sugjeron UEFA-s se për Gjibraltarin ta marrë parasysh statutin e kohës kur ka aplikuar ai vend, e jo të riun, të hartuar pas aplikimit të tij, dhe kështu Gjibraltari përfitoi”, thotë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
Sipas tij, Kosova ia pa sherrin Gjibraltarit, për shkaku të cilit ishte ndërruar statuti i UEFA-s, i cili tani Kosovën po e lë larg. “Sikur të ishte ai statut i vjetër, ne lehtë do ta kishim, por ia pamë sherrin Gjibraltarit. Tani statuti aktual i UEFA-s kërkon të jemi në OKB”, theksoi ai.
Mirëpo, Salihu nuk e përjashton mundësinë që edhe FFK-ja t’i drejtohet të njëjtës gjykatë, ndonëse nuk besohet se do të përfitojë aq lehtë si Gjibraltari.
“Ne e kemi diskutuar këtë temë në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Nuk e përjashtoj mundësinë, sepse faktet mendojmë se janë në anën tonë, por hapat do t’i bëjmë në kohën e duhur. Ne jemi të brengosur se UEFA nuk po do ta kuptojë se rasti i Kosovës është unik, dhe si të tillë e trajton e gjithë bota, njëjtë duhet të sillet edhe ajo. Duhet t’i bëjë zgjedhje unike, sepse nuk ka ligj që e zgjidh çdo çështje”, përfundoi ai.
Në fakt, më moti, krerët e FFK-së mendonin për ta çuar çështjen në Gjykatë, por ajo temë tashmë sikur është harruar, andaj duket se ato deklarata të udhëheqësve të futbollit kosovar më shumë ishin ‘kërcënuese’ për UEFA-n e FIFA-n, në mënyrë që ato t’ua jepnin lejen për t’i organizuar ndeshje miqësore reprezentacionit kosovar, gjë që as ajo akoma nuk ka ndodhur.