E Shtunë, 31 Tetor 2026

Champions Chelsea e Juventus per fitore

Champions League kthehet këtë mesjavë me shumë sfida spektakolare, të vlefshme për raundin e dytë të grupeve. Një prej dueleve më të rëndësishëm është ai i Grupit E që do të luhet në Torino, ndërmjet Juventusit dhe Shakhtar Donetsk.

Pas barazimit në “Stamford Bridge”, Juventusi kërkon fitoren e parë në këtë edicion. Kjo është edhe përballja e dy skuadrave me ecuri të jashtëzakonshme, ku bardhezinjtë vazhdojnë ecurinë e sezonit të kaluar, duke qenë të pamposhtur në Serinë A, ndërsa ukrainasit e drejtuar nga Mircea Lucescu i kanë fituar të 13 ndeshjet sezonale në këtë sezon, duke përfshirë këtu edhe fitoren 2-0 me Nordsjaelland. Përballja e fundit mes këtyre dy skuadrave është ajo e vitit 1976, që u fitua 3-1 nga Juventusi.

Në sfidën tjetër të grupit, Chelsea luan në Kopenhagen përballë Nordsjaelland, një klub me moshë vetëm 21 vjeçare, aq sa është talenti i bluve, Eden Hazard. Edhe kampionët e Europës në fuqi kërkojnë tri pikët e para, si një mënyrë për të mos humbur terren përballë rivalëve.

Në Grupin F, Bayern Munich mbetet sëish favorit për të fituar, pavarësisht se luan në fushën e vështirë të BATE Borisov. Në letër bavarezët janë të frikshëm dhe kjo nuk ndryshon as nga fakti që bjellorusët fituan 3-1 në ndeshjen e parë në fushën e e Lille, apo prej mungesave të Robben, Mario Gomez, Contento e Alabas.

Bayerni ka regjistruar 9 fitore në këtë sezon: një start kaq pozitiv gjermanët nuk e regjistronin prej edicionit 1984/85, ndërsa me një fitore ata do të vendosnin një rekord historik. Ndërkohë, në “Mestalla”, Valencia pret Lille-n, në duelin mes dy ekipeve që mbyllin grupin dhe kërkojnë të mbetetn në garë për t’u kualifikuar.

Në Grupin G, Barcelona do të kërkojë të vazhdojë serinë pozitive në fushën e Benfica-s. Katalanët nuk janë në formën maksimale, megjithatë ata kërkojnë të vazhdojnë ecurinë e fitoreve të udhëhequr nga Lionel Messi. Benfica është inferiore në letër, por portugezët janë të pamposhtur në këtë sezon dhe kërkojnë fitoren e parë në shtëpi pas 30 vjetësh me një ekip spanjoll. Në takimin tjetër, Spartak Moscow do të provojë të shfrytëzojë faktorin fushë për të mposhtur skocezët e Celtic.

Në Grupin H, spikat dueli ndërmjet dy kryesuesve, CFR Cluj dhe Manchester United. Rumunët kanë premisa të jenë surpriza e këtij sezoni, ndërsa “Djajtë e Kuq” synojnë të konfirmojnë forcën dhe të evitojnë hapa fals. Ndërkohë, në stadiumin mitik “Ali Sami Yen” të Stambollit, Galatasaray luan kundër Braga-s, një përballje mes dy skuadrave që kërkojnë pikët e para.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›