Drenica s’lëshon më pikë

Njëra prej ndeshjeve më interesante të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll do të zhvillohet të enjten në Skenderaj, ku do të takohen dy skuadra të cilat moti nuk kanë fituar, Drenica dhe Drita.
Kuqezinjtë nuk dinë për fitore prej xhiros së parë të kampionatit, kur e kishin mposhtur Hajvalinë, derisa në gjashtë ndeshjet e fundit i ka pësuar tri humbje, krahas tri barazimeve.
Megjithatë, ekipi i Tahir Lushtakut synon që të enjten ta japë edhe atomin e fundit për ta regjistruar fitoren e dytë në këtë kampionat, pavarësisht se përballë do ta ketë një skuadër goxha të fortë, siç është Drita.
“Jemi mobilizuar i gjithë klubi, Kryesia, Shtabi teknik, lojtarët, për t’iu rikthyer fitoreve. Lojtarët janë bindue se ka ardhur koha që të fitojmë. Me një angazhim të madh besoj se do ta arrijmë objektivin, por duhet të jemi edhe shumë të kujdesshëm përballë Dritës, e cila është shumë e fortë dhe e papërshtatshme”, u shpreh trajneri i kuqezinjve, Tahir Lushtaku, i cili në këtë sfidë do ta inkuadrojë edhe sulmuesin Kushtrim Lushtaku, i cili nga Drenica më 2009 ishte transferuar te Munich 1860, para se të kalonte te Orebro dy vjet më vonë.
Por, kuqezinjtë nuk do ta kenë aspak të lehtë ta arrijnë objektivin përballë njërës prej skuadrave më të forta aktualisht në vend, Dritës. Madje, drenicasve edhe më shumë do t’ua vështirësojë punët fakti se gjilanasit synojnë t’iu kthehen fitoreve, pas tri barazimeve të njëpasnjëshme.
“Edhe ndaj Drenicës do të hyjmë për të aplikuar lojë të mirë e të hapur, dhe si gjithmonë nëpërmjet një asi loje synojmë rezultat sa më pozitiv. Drenica ka ekip të fortë dhe mund të arrijë rezultate pozitive në vazhdim të kampionatit. Mirëpo, ne besojmë se mund ta kalojmë Drenicën, nëse angazhohen si gjithmonë lojtarët e mi, por edhe nëse nuk dëmtohemi prej referove sikur në këto ndeshjet e fundit”, tha trajneri i bardhekaltërve, Arbnor Morina.
Ndeshje e tillë interesante do të zhvillohet edhe në Vushtrri, ku Llamkos Kosova do të përpiqet t’iu kthehet fitoreve pas pesë javësh përballë Hajvalisë, e cila fitoren e fundit e ka shënuar para tri jave.
Superliga – xhiroja e tetë
E mërkurë
Ll. Kosova – Hajvalia
Vëllaznimi – Besa
Trepça – Ferronikeli
Drenica – Drita
E enjte
Liria – Trepça ‘89
Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 15:00