E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përballje kampionësh

Kampioni i Anglisë, Manchester City dhe ai i Gjermanisë, Borussia Dortmund do të përballen në mes vete të mërkurën në Etihad Stadium, në kërkim të trepikëshit, i cili ua shton gjasat e kualifikimit në fazën tjetër të Ligës së Kampionëve. Anglezët janë të pamposhtur qe 17 ndeshje në shtëpi në këtë turne, kurse gjermanët vijnë pas formës së mirë në kampionat. Ndërkohë, Real Madridi i kërkon tri pikët e radhës në Holandë ndaj Ajaxit, derisa Milani do të ketë punë të vështirë në Rusi, ku e pret Zeniti.

Manchester City – Borussia Dortmundi është kryendeshja e ditës së dytë të xhiros së dytë të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve. ‘Citizens’, pas humbjes në ndeshjen spektakolare të zhvilluar në Madrid, dy javë më parë, do t’i kërkojnë tri pikët e para në Grupin D.

Për ta arritur këtë qëllim, ata duhet ta mposhtin Borussia Dortmundin, e cila po ashtu gëzon formë të mirë, pas fitores 5:0 në Bundesligë ndaj Borussia Monchengladbachut. Ekipi i Roberto Mancinit nuk ka humbur në 17 ndeshjet e fundit të këtij kompeticioni në shtëpi. Prandaj, kampioni anglez do të mundohet ta vazhdojë këtë seri edhe ndaj kampionit gjerman.

Dortmundi llogarit në dyshen e frikshme të mesfushës, Gotze-Reus dhe sulmuesin Lewandowski, me të cilët e synon së paku një barazim, pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Ajaxit. Dortmundi e mbylli fazën e grupeve me tri humbje si mysafir, sezonin që shkoi, por sivjet duket se ka pamje tjetër.

Në duelin tjetër të këtij grupi, Real Madridi, pas rikthimit sensacional ndaj Cityt, në Holandë shkon për t’i rrëmbyer tri pikët e radhës, përballë Ajaxit. Madrilenët ishin të qindpërqindtë sezonin që shkoi në fazën e grupeve dhe të njëjtën rrugë djelmoshat e Jose Mourinhos mund ta ndjekin edhe sivjet.

Në Grupin A, Dinamo Zagrebi i Fatos Beqirajt do të udhëtojë drejt Kievit, ku e pret Dinamo e Admir Mehmedit. Në duelin tjetër, Paris Saint Germaini i përforcuar, i drejtuar nga Zlatan Ibrahimovic, do të kërkojë pikë në Portugali, në duelin e vështirë ndaj Portos. Kjo e fundit, nuk ka humbur në shtëpi në këtë kompeticion që nga nëntori i vitit 2009, kur e kishte mposhtur Chelsea.

Në Grupin B, pasi shënuan fitore në udhëtim në duelet e para, Schalke e Arsenali kanë mundësi që ta vazhdojnë rrugën drejt kualifikimit. ‘Topçinjtë’, të pamposhtur në shtëpi në Champions nga maji i vitit 2009, do të luajnë me Olympiacosin, për herë të tretë në katër vjetët e fundit.

Djelmoshat e Arsene Wengerit do të mundohen ta harrojnë humbjen në shtëpi nga Chelsea në Premierligë, duke i fituar tri pikët e radhës në Evropë. Kurse, Schalke e nis lojën si favorit në duel me Montpellierin, i cili kishte një nismë të vështirë të këtij sezonit.

Në Grupin C, ndeshja ndërmjet Zenitit dhe Milanit do të luhet disa orë më herët. Rossonerët nuk po kalojnë momente të mira dhe pas barazimit në shtëpi ndaj Anderlechtit, u duhen pikët në San Petersburg, nëse shpresojnë kualifikimin në të tetën e finales.

Ndërkohë, Zeniti, edhe pse nuk po kalon nëpër një formë shumë të mirë, po ashtu ka nevojë për pikë, që t’i mbajë gjallë shpresat e kualifikimit. Në duelin tjetër, Malaga, pas fitores ndaj Zenitit, i kërkon pikët e radhës përballë Anderlechtit të Besnik Hasit. Kurse, belgët, pasi nxorën një pikë të artë në San Siro, do të tentojnë ta vazhdojnë ëndrrën e tyre edhe në ballafaqim me ekipin spanjoll.

Liga e Kampionëve

E mërkurë

Grupi A

Dynamo K. – Dinamo Z. 20:45

Porto – PSG 20:45

Grupi B

Schalke – Montpellier 20:45

Arsenal – Olympiacos 20:45

Grupi C

Zenit – Milan 18.00

Anderlecht – Malaga 20:45

Grupi D

Man City – Borussia D. 20:45

Ajax – Real Madrid 20:45

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›