Gjermania gati për reduktimin e shpenzimeve për uljen e deficitit
Qeveria gjermane do të nisë një program masiv masash për shtrëngimin e shpenzimeve të buxhetit vitin e ardhshëm për t’u dhënë kështu një shembull të gjitha vendeve të eurozonës. Shkurtimet pritet që të kapin shifrën e 10 miliardë eurove deri në vitin 2016. Do të rriten taksat dhe ndërkohë do të reduktohen shpenzimet, pavarësisht premtimeve të mëparshme të koalicionit qeverisës për të vënë një program për reduktimin e kasave në qendër të problemeve ekonomike të vendit. Ministri gjerman i Financave sugjeroi se reformat në përfitimet e papunësisë dhe përfitime të tjera shoqërore do të kompensoheshin me shtimin e vendeve të punës dhe si pasojë me uljen e papunësisë. Ai premtoi se ndërkaq arsimi dhe disa fusha të tjera nuk do të prekeshin nga shkurtimet. Një propozim i tillë është kundërshtuar menjëherë nga opozita social-demokrate e Gjermanisë, duke u konsideruar si një sulm ndaj të varfërve. Ndërkaq, socialdemokratët i kanë kërkuar qeverisë që të shtojë taksat ndaj bankierëve të pasur dhe bankave private, të cilët ishin shkaktarët e vërtetë të krizës. Këto shkurtime bëhen për të reduktuar edhe deficitin buxhetor të Gjermanisë. Ndërkaq, kjo nismë e Gjermanisë do të tronditë 15 vende të tjera të eurozonës, të cilat gjithashtu duhet që të marrin masa të ngjashme për të kompensuar paratë e mëdha që kanë dhënë për paketën shpëtimtare prej 1 trilion dollarësh. Të enjten, për problemet më të mëdha financiare dhe buxhetore të Europës, shefi i Thesarit amerikan, Geithner, do të ketë një takim në Berlin me homologun e tij. Për sa i përket planit të Gjermanisë ai tenton ta çojë deficitin buxhetor nga 5% në 3% të Prodhimit Kombëtar Bruto deri në vitin 2013.
#