Seuli, masa të reja kundër Koresë së Veriut
Koreja e Jugut ka pezulluar pothuajse të gjitha lidhjet tregtare me Korenë e Veriut në përgjigje të provave se ajo ka fundosur me silur një luftanije të saj. Presidenti koreanojugor Lee Myung-Bak, tha se tregtia ndërkufitare do të pushojë dhe ujërat e vendit të tij do të jenë të mbyllura për të gjitha anijet e Koresë së Veriut. Koreja e Jugut thotë se do ta dërgojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së incidentin e fundosjes së një luftanije të saj në mars të këtij viti. Disa ditë pasi publikoi rezultatet e një hetimi që gjetën prova të një sulmi me silur, Presidenti i vendit po përgatitet të njoftojë se çfarë hapash do të marrë në përgjigje të këtij incidenti. Njoftimet më të fundit bëjnë të ditur se një numër masash të njëanshme do të shpallen, të cilat mund të përfshijnë ndalimin e anijeve të Koresë së Veriut nga ujërat e Koresë së Jugut, si dhe mbajtjen e një stërvitjeje ushtarake në shkallë të gjerë antinëndetëse me marinën e SHBA-së. Koreja e Veriut, nga ana e saj, ka mohuar se kishte të bënte me incidentin, në të cilin 46 marinarë vdiqën, por një hetim i Koresë së Jugut, i mbështetur nga pesë ekspertë prej vendeve të tjera, ka gjetur prova të një sulmi, duke përfshirë edhe ato që janë thënë të jenë pjesë e një siluri të Koresë së Veriut.
#