E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania i ofron strehim Mubarakut?

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 20:10

Zëvendëskryetari i fraksionit demokristianëve në Gjermani, Andreas Schockenhoff dhe ekspertja për çështjet e mbrojtjes e Partisë së Demokratëve të Lirë, Elke Hoff, kanë propozuar zgjidhjen e luftës për pushtet në Egjipt, me pranimin e presidentit Hosni Mubarak në Gjermani.

Schockenhoff i tha gazetës "Bild am Sonntag", se në këtë mënyrë Gjermania jep një kontribut konstruktiv në ndryshimin paqësor të pushtetit në Egjipt.

Ngjashëm argumentoi edhe Hoff. Në të kaluarën Mubaraku ka qenë disa herë në Gjermani për trajtim mjekësor.

Në anë tjetër, SHBA dhe Evropa kanë marrë një qëndrim të distancuar lidhur me zëvendësimin e shpejtë të presidentit egjiptian Mubarak.

Kancelarja Angela Merkel dhe ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton bënë thirrje në Konferencën për Sigurinë në Munih, për një ndryshim të rregullt në vendin afrikano-verior dhe paralajmëruan për rrezikun e një veprimi të nxituar.

Parapërgatitjet për zgjedhje dhe zhvillimin e strukturave të reja kanë nevojë për kohë, tha Merkel.

Clinton tha se është e rëndësishme që të mbështet procesi kalimtar i shpallur nga qeveria egjiptiane, i cili aktualisht do të udhëhiqet nga zëvendëspresidenti Omar Suleiman.

Grupi më i madh opozitar në Egjipt, Vëllazëria Myslimane, tha se do të hyjë në bisedime me zyrtarët për t’i dhënë fund krizës politike në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›