E Shtunë, 31 Tetor 2026

Idrizi: Sot është ora e Çamërisë, ora e shqiptarëve

Nga Express më 06 shkurt 2011 në ora 20:35

Në Tiranë është festuar 20 vjetori i themelimit të Shoqatës Atdhetare Politike “Çamëria”, në një aktivitet ku morën pjesa qindra anëtarë të shoqatës në Muzeun Historik Kombëtar.

Gjatë këtij aktiviteti, kryetari i shoqatës Çamëria, Adrian Tana, theksoi vlerat që ka mbajtur kjo shoqatë ndër vite dhe vlerësoi drejtuesit e parë të saj, që arritën të mbanin gjallë çështjen çame.

Kryetari i Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi dhe kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim, Tahir Muhedini gjatë fjalimeve të tyre theksuan se është vetëm çështje ditësh bashkimi mes këtyre dy forcave politike, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të çështjes çame.

Muhedini vlerësoi drejtuesit e shoqatës “Çamëria”, mbështetësit e kauzës çame, historianë e deputet, e në veçanti, kryetarin e Partisë Drejtësi dhe Unitet, Shpëtim Idrizi për arritjet e deritanishme në rrugën e zgjidhjes së kësaj çështjeje.

Në fjalën e tij, kreu i PDU-së, z. Shpëtim Idrizi, ndau me të pranishmit se dy forcat politike, PDU dhe PDI do të bashkohen shumë shpejt dhe se është çështje ditësh.

"Këto ditë madje ne presim të bashkohemi me vëllezërit tanë të PDI-së dhe do të kemi një parti të vetme. Një parti e vetme, që do të ngrihet mbi një bazament të fortë e solid mbi gjithçka, që Shoqata “Çamëria” ka bërë, mbi shumë çka që PDI ka bërë si partia e parë, që kishte në themel të programit të saj çështjen çame, mbi shumë çka, që PDU ka bërë në pak më shumë se një vit. Unë dhe Tahir Muhedini, që gjej rastin ta falënderoj publikisht për gjithçka ka bërë, e dëgjuam thirrjen e amanetit të të parëve, e ndjemë të fortë peshën e përgjegjësisë për të punuar së bashku për çështjen çame, e ne jemi bashkë. Legalizimi i bashkimit është çështje ditësh e unë ju ftoj të gjithëve që sot më shumë se kurrë të punojmë të gjithë bashkë, sepse sot është ora e Çamërisë, ora e shqiptarëve", deklaroi Idrizi.

Ai premtoi se puna e nisur për zgjidhjen e kësaj çështjeje, krahas zgjidhjes së çështjeve të tjera kombëtare, që janë pika themelore në programin e PDU-së, tashmë do të jenë në unison me të gjithë aktorët politik, pas bashkimit të dy forcave politike. Gjatë aktivitetit për 20-vjetorin e shoqatës “Çamëria” u nderuan me titullin “Nderi i Çamërisë“ historianët Beqir Meta, Pëllumb Xhufi dhe Kaliopi Naska, për kontributin e dhënë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›