Gjermania i sugjeron Malit të Zi njohjen e Kosovës
Tani është radha e Malit të Zi të njohë shtetin e ri të Kosovës. Me këtë sugjerim, ambasadori i Gjermanisë në Podgoricë, Tomas Schmidt i është drejtuar dje Malit të Zi. Në sugjerimin e tij, Schmid ka deklaruar se Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ashtu si kanë bërë edhe shtetet kryesore anëtare të Bashkimit Evropian. Për këtë, sipas tij, Mali i Zi, herët a vonë, do përballet me realitetin e ri dhe duhet të merr vendim konkret, pavarësisht se ai për shumë persona mund të jetë i dhimbshëm. Shtyrjen e afatit të aplikimit për anëtarësim në BE, ai e ka quajtur vendim të Podgoricës, i cili është marrë në konsultim me miqtë e saj në Bruksel, Berlin, Paris, Hagë, Lubjanë dhe kryeqendra tjera në BE. Ambasadori gjerman duke u përgjigjur në pyetjen se si përfaqësues diplomatik i një shteti të huaj, sheh se në Mal të Zi është i pranishëm lobi kundër Evropës, theksoi se “...në çdo vend evropian ekzistojnë forca, të cilat edhe më tej luftojnë kundër ekzistimit të vet Bashkimit Evropian”.